Ministri Bytyqi: Kemi punuar përtej objektivave të Ministrisë së Arsimit

22 mars 2019 | 14:32

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të GIZ-CDBE (Zhvillimi i Kapaciteteve në Arsimin Fillor), ka organizuar të premten konferencën e rishikimit vjetor të planit strategjik të arsimit të Kosovës 2018.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me këtë rast ka theksuar se kjo konferencë është mundësi e mirë për të diskutuar të gjeturat, sa i përket arritjeve dhe sfidave në sektorin e arsimit.

Bytyqi ka falënderuar partnerët e Ministrisë së Arsimit për përkrahjen që po i japin realizmit të rishikimit vjetor të planit strategjik të arsimit të Kosovës dhe objektivave të tjera, të cilat dalin gjatë realizimit të planit vjetor. “Në sistemin arsimor duhet të kemi qasje e cila garanton cilësi të qëndrueshme. Kemi bërë punë të cilat kanë qenë përtej objektivave tona, në mënyre që të sigurojmë cilësi në arsim”, ka thënë ministri Bytyqi, i cili foli edhe për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, avancimin e metodave të mësimdhënies dhe mësimnxënies, kompletimin e infrastrukturës ligjore, rritjen e gjithëpërfshirjes dhe parandalimin e braktisjes në arsim.

Menaxheri i Programit “Politikat e BE-së në Arsim”, në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Stergios Tragoudas, ka thënë se kjo ngjarje është mundësi që të vazhdohen përpjekjet për të punuar mbi parimet e cilësisë dhe transparencës.

Tragoudas ka thënë se vetëdija për rëndësinë e cilësisë po rritet çdo ditë, por ndryshimet nuk mund të ndodhin shpejtë, në veçanti në arsim.

Ndërsa përfaqësuesja e GIZ në Kosovë, Rrezarta Zhinipotoku, ka thënë se GIZ e ka mbështetur edhe vitin e kaluar zbatimin e rishikimit vjetor të planit strategjik të arsimit të Kosovës 2018, dhe duke marrë parasysh reformat nga viti i kaluar është arritur hartimi i një raporti të suksesshëm.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka marrë…