Ministri Bytyqi thotë se duhet të përkrahen qendrat mësimore

05 shtator 2018 | 16:16

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në hapjen e punëtorisë për rishikimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (UA), që ka të bëjë me themelimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.

“Kjo punëtori e organizuar nga MAShT në bashkëpunim me GIZ-in është shumë e rëndësishme, ashtu siç është jashtëzakonisht me rëndësi angazhimi për ta rishikuar dhe plotësuar këtë dokument ligjor, i cili rregullon funksionalizimin e qendrave mësimore dhe kjo është vazhdimësi e punës së MAShT për plotësimin e infrastrukturës ligjore aty ku është e nevojshme.

E çmoj punën dhe angazhimin e këtyre qendrave, të cilat ofrojnë arsim dhe edukim shtesë për fëmijët e komuniteteve, veçanërisht për fëmijët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian”, ka thënë Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka theksuar se me këtë po dëshmohet edhe një herë përkushtimi për gjithëpërfshirje dhe dhënie të mundësive të barabarta për të gjithë.

“Këto qendra po ndihmojnë fëmijët e këtyre komuniteteve që të përfitojnë njohuri dhe shkathtësi të duhura për jetën. Gjithashtu, ato kanë dhënë kontribut të çmuar për vetëdijesimin fëmijëve të këtyre komuniteteve për rëndësinë e arsimimit dhe edukimit, por kanë ndikuar edhe në rënien e shkallës së braktisjes së shkollimit. Ky udhëzim do të saktësojë shumë çështje për punën e këtyre qendrave dhe me plotësimet që do të bëhen, do të shihet më e qartë perspektiva e këtyre qendrave, qëndrueshmëria dhe aspekte të tjera”, ka thënë ai.

Bytyqi ka falënderuar GIZ-in dhe partnerët tjerë që po e mbështesin MAShT-in në angazhimet për edukim gjithëpërfshirës.

Ai ka theksuar se po shikohen mundësitë për hartimin e një projektligji me të cilin do të rregullohet edhe çështja e financimit të institucioneve edukativo-arsimore jopublike.

“Me hartimin e këtij Udhëzimi, do të rregullohet çështja e regjistrimit të këtyre qendrave, e kuadrit, e programeve që ofrohen, në mënyrë që të jenë në përputhje me kurrikulën e re, si dhe çështje të tjera me rëndësi”, ka thënë Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nisma Socialdemokrate i ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj që ta…