Ministri Gashi mysafir në Parlamentin e Ontarios

09 mars 2018 | 11:00

Në një ceremoni të organizuar gjatë seancës plenare të Parlamentit Provincial të Ontarios, kryetari i këtij parlamenti, Dave Levac, ka ftuar si mysafirë të veçantë zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherësh ministrin e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, dhe delegacionin e kryesuar nga ai.

“Të nderuar deputetë, ministra, më lejoni të përshëndes dy mysafirë të veçantë, të cilët janë ulur në lozhën lart: ministrin e Diasporës të Shqipërisë, Pandeli Majko, dhe ministrin e Diasporës, njëherësh zv. kryeministrin e Kosovës, Dardan Gashi”, tha kryekuvendari i këtij vendi.

Ceremonia e pritjes solemne u organizua me rastin e vizitës së ministrit Gashi në Toronto të Kanadasë.

Po ashtu, në njërën nga sallat e Parlamentit, ministri Gashi, i shoqëruar nga ministri Majko, ka qenë prezent në ekspozitën e organizuar nga komuniteti shqiptar në diasporë “Gratë shqiptare ndër dekada”.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri i Diasporës tha se këtë vit është shënuar 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe, njëherësh, 10-vjetori i themelimit të marrëdhënieve diplomatike me shtetin mik të Kanadasë.

Gjatë kësaj vizite, Gashi, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Diasporë i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka pasur një bashkëbisedim me kryetarin dhe me anëtarët e kryesisë së Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze, me të cilët në detaje ka diskutuar për çështjen e “Shtëpisë së Shqiptarit” dhe për projektet në vazhdimësi.

Delegacioni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, po ashtu, kanë pasur një takim me Shoqatën e Profesionistëve Shqiptaro-Kanadezë, me të cilët kanë diskutuar për modalitetet e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen, në formën e konsulencave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KV Malisheva së shpejti pritet të bëhet edhe me shkollën…