Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë: Lojërat me kufi çojnë në rrugë qorre
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, në një diskutim dje në Bundestag, ka shprehur qëndrimin kundër lëvizjes së kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë duhet larguar nga një zgjidhje nëpërmjet idesë së korrigjimit të kufijve, ide që, sipas tij, në tryezë është shtruar në tavolinë jo vetëm nga Kosova dhe Serbia, por edhe nga të tjerë që kanë ndikim mbi dy shtetet.
Mass ka thënë se lojëra të tilla me kufijtë e prolongojnë edhe më tej zgjidhjen e problemit kompleks në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe nuk çojnë askund përveçse në një rrugë qorre.
“Qëllimi është që të largohemi nga zgjidhjet me kufij të cilat janë parashtruar në tryezë jo vetëm nga palët, por edhe nga të tjerë që duan të ushtrojnë ndikim atje. Por kjo do të arrinte vetëm një gjoja përparim, nëse do të quhej përparim, duke pasur parasysh gjendjen e atjeshme. Lojërat me ide të tilla vetëm sa e shtyjnë zgjidhjen për problemet komplekse dhe nuk çojnë askund, vetëm se në një rrugë qorre”, ka thënë Mass, raporton DW, transmeton Express.
Mass ka folur edhe për gjendjen e sigurisë në mes të Kosovës dhe Serbisë duke e cilësuar relativisht të qëndrueshme, kurse ka thënë se në aspektin politik raportet në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë përkeqësuar. Ai ka premtuar angazhimin e mëtejmë të Gjermanisë për vazhdimin e dialogut në kuadër të presidencës gjermane të BE-së që fillon më 1 korrik.



