Ministri i Shëndetësisë dhe shefi i OSBE-së diskutojnë për procesin e vaksinimit në Kosovë

17 janar 2022 | 17:01

Ministri i Shëndetësisë (MSh), Rifat Latifi, ka pritur të hënën në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport.

Në këtë takim, ministri Latifi e ka njohur ambasadorin me angazhimet e MSh-së ndërlidhur me situatën rreth Covid-19, me fokus në procesin e vaksinimit të popullatës dhe projektet e angazhimet e tjera, me qëllim të sigurimit të qasjes komplete në shërbime shëndetësore, në veçanti për popullatën në zona më periferike dhe më të thella përmes teknologjisë së telemjekësisë.

Ambasadori Davenport ka theksuar se misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i fokusuar në fushën e ndërtimit të demokracisë, respektimit të drejtave të njeriut dhe në fushën e sigurisë e bashkëpunimit, ndërsa shprehu gatishmërinë e misionit për të ndihmuar në segmente të ndryshme në fushën e shëndetësisë që kanë të bëjnë me shërbimet që ofrohen tek komunitetet në teren.

Sipas MSh-së, ministri Latifi dhe ambasadori Davenport kanë theksuar rëndësinë e vaksinimit të të gjithë popullatës në Kosovë dhe jo vetëm në rastin e Covid-19, derisa synim i përbashkët është  mbulimi me vaksinimin i të gjitha komuniteteve që jetojnë Kosovë, përfshirë edhe grupet më të cenueshme.

Ata janë pajtuar për një bashkëpunim të ndërsjellë në të ardhmen në ato fusha ku ka nevojë për intervenime që rrisin besimin dhe sigurinë e shërbimeve shëndetësore nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Gjergj Dedaj është…