Ministri Ismaili takohet me drejtuesit shëndetësorë, diskutojnë për koronavirusin

27 janar 2020 | 18:05

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në botë në lidhje me koronavirusin i cili është shfaqur në Kinë.

Në këtë kontekst, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka mbajtur të hënën një takim me drejtuesit e institucioneve relevante shëndetësore në Kosovë.

Gjatë këtij takimi, Ismaili ka kërkuar nga të pranishmit informata rreth situatës së koronavirusit. Po ashtu, ai ka kërkuar nga të gjithë mekanizmat shtetërorë e institucionalë, që të jenë në gatishmëri në rast të paraqitjes së ndonjë rasti të dyshimtë.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka konfirmuar se në Kosovë nuk ka asnjë rast me koronavirus dhe se rrezikshmëria për këtë virus në vendin tonë është e ulët.

Ndërsa drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka konfirmuar se si institucion janë të gatshëm për menaxhimin e rateve evantuale dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike.

Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindira Ajazaj-Berisha, ka thënë se tashmë ka bërë përgatitjet e nevojshme sa i përket repartit të izolimit në rast të paraqitjes të ndonjë rasti që do të ketë nevojë për masa izolimi.

Gjatë kësaj jave, ministri Ismaili do të ftojë në takim edhe Komitetin nacional për sëmundje ngjitëse për të diskutuar situatën dhe nivelin e gatishmërisë.

Institucionet shëndetësore në Kosovë kanë siguruar të gjithë qytetarët se janë duke marrë të gjitha masat adekuate, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” nën përkujdesjen e Rektorit…