Ministri Konjufca viziton diasporën shqiptare në Shtutgart

18 shkurt 2020 | 14:18

Me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 10-vjetorin e krijimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, në manifestimin solemn të organizuar nga kjo konsullatë, kanë marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ish-presidentja Atifete Jahjaga, nënkryetari i Parlamentit Evropian, Rainer Vieland, ministrja e Shtetit në Landin e Baden Vyrtembergut, Theresia Schopper, si dhe përfaqësues tjerë të jetës publike shqiptaro-gjermane.

Në këtë manifestim, kryediplomati Konjufca, pasi ka përshëndetur në gjuhën gjermane rreth 400 pjesëmarrës të pranishëm, ka deklaruar se Baden Vyrtembergu dhe Shtutgarti janë Landi dhe qyteti qendror i shqiptarëve jashtë Kosovës.

“Lidhjet e Kosovës më Baden Vyrtembergun i dëshmon e kaluara, prania jonë e sotme këtu dhe e ardhmja jonë e përbashkët. Ndihma nga Shtutgarti për dekada të tëra dhe kontributi i bashkëkombësve tanë, të integruar në këtë vend, janë dëshmia më e mirë për këtë që po them. Prandaj, nuk ka vend më të mirë për të festuar këtë datë historike për Kosovën dhe kombin shqiptar”, ka thënë Konjufca.

Duke i informuar të pranishmit në lidhje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Munih, Konjufca ka thënë se bashkë me kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një numër të madh takimesh me zyrtarë gjermanë, dhe se takime të nivelit bilateral do të vazhdojnë në javët e ardhshme.

“Gjermania ka qenë, është dhe do të mbetet një nga miqtë më të mirë të vendit tonë. Marrëdhëniet në mes të dy vendeve tona do të thellohen dhe intensifikohen në mënyrë të ndjeshme në vitet që do të vijnë”, është shprehur Konjufca.

Ndërsa ministrja e Shtetit, Theresia Schopper, ka thënë se është e kënaqur që Baden-Vyrtemberg është bërë një shtëpi e re për kaq shumë shtetas të Kosovës dhe se Landi i Baden Vyrtembergut do të vazhdojë të qëndrojë pranë Republikës së Kosovës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka…