Ministri Murati dhe shefi i BE-së në Kosovë bisedojnë rreth krijimit të Fondit sovran

13 prill 2021 | 14:09

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë një takimi njoftues kanë biseduar për agjendën zhvillimore të Qeverisë, me theks të veçantë në ristrukturimin e skemave sociale, luftimin e informalitetit dhe krijimin e Fondit sovran.

Ministri Murati dhe shefi i BE-së në Kosovë kanë biseduar  edhe për masat që do të ndërmerren për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, dhe për ndihmën që do t’i ofrohet sektorit privat në këtë drejtim nga Qeveria me qëllim të ruajtjes së vendeve të punës dhe shëndetit ekonomik të vendit.

Gjatë takimit është theksuar edhe plotësimi i kushteve për disbursim të mbështetjes makro-financiare dhe mbështetjes sektoriale buxhetore të ofruar nga BE-ja për Kosovën.

Të dy përfaqësuesit e institucioneve kanë rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për implementim të reformave strukturore ekonomike, si dhe për mbështetje drejt zbatimit të projekteve infrastrukturore të përbashkëta, siç është rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”.

Kurse shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), Tomas Szunyog, e ka njoftuar ministrin Murati për projektet e ndryshme të financuara nga BE-ja dhe statusin e tyre. Ai ka vlerësuar faktin se Qeveria ka objektiva zhvillimore të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian dhe shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në fusha të interesit të përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë…