Ministri Selimi: Qasja në drejtësi, një nga prioritetet e planit tim qeverisës

30 qershor 2020 | 13:29

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka marrë pjesë në takimin virtual të organizuar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), mbështetur nga aktiviteti i USAID-it “Drejtësia Vlen”, ku është diskutuar rreth sfidave që janë identifikuar nga ANJF, në veçanti gjatë periudhës së fundit në raport me situatën e krijuar nga masat e ndërmarra për parandalimin e Covid-19.

Ministri Selimi gjatë këtij takimi ka thënë se Agjencia për Ndihmë Juridike Falas është institucion i rëndësishëm përmes së cilit qytetarët sigurojnë qasje efikase në sistemin e drejtësisë dhe shërbime juridike falas.

“Mbrojtja juridike falas është e domosdoshme për grupet e ndjeshme dhe të margjinalizuara, të cilat mund të këshillohen apo të shikojnë se si të kenë barazinë e palës brenda procesit”, është shprehur Selimi.

Sipas ministrit Selimi, qasja në drejtësi është një nga prioritetet e planit të tij qeverisës.

“Qasja në drejtësi për ne ende është një çështje në të cilën duhet të punojmë, qoftë për shkak të stigmatizimit social, të pengesave gjeografike apo çështjeve tjera të cilat pengojnë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në drejtësi në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar ministri Selimi.

Ministri Selimi ka pohuar se është e rëndësishme të avancohet infrastruktura ligjore për çka falënderoi GIZ-in dhe USAID-in për ndihmë, ndërsa potencoi që krahas kësaj e rëndësishme është edhe infrastruktura institucionale.

“Në qoftë se një person në nevojë nuk mund t’i qaset drejtësisë, atëherë drejtësia duhet t’i ketë mekanizmat që të jetë e qasshme për të, jo për shkaqe humanitare, por për shkaqe të sjelljes së domosdoshme të drejtësisë në vendin e vet. Është shumë e rëndësishme që ANJF t’i ketë kushtet e mira, si ato kadrovike, logjistike, por edhe të dijes dhe kapacitetit juridik, që të ofrojë shërbimet për ndihmë juridike falas”, ka thënë ministri Selimi.

Pjesë e këtij takimi ishte drejtoresha e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Alaj-Kalanderi, akter të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të organizatave GIZ dhe USAID dhe nga shoqëria civile.

(Qendresa Rama)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Konfirmohet edhe rasti i parë me Covid-19 në Gjykatën Themelore…