Ministri suedez shkon në Turqi për të diskutuar anëtarësimin në NATO

10 nëntor 2022 | 13:53

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, ka thënë të enjten se do të shkojë në Ankara për të shtyrë përpara ofertën e pranimit të vendit të tij në NATO.

Ai nuk ka dhënë datën e saktë të këtij udhëtimi, por ka thënë se kjo do të ndodhë “së shpejti”.

“Unë së shpejti do të shkoj në Ankara, këtë vjeshtë, për t’i vazhduar diskutimet me homologët e mi atje”.

“Suedia po punon me zell drejt një hyrjeje të shpejtë dhe pa probleme në NATO”, ka thënë ai në një konferencë për media, më 10 nëntor, në Berlin, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman.

Pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, Suedia dhe Finlanda i kanë dhënë fund politikës së tyre të kahershme të neutralitetit dhe kanë aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake.

Por, Turqia e ka penguar ratifikimin e kërkesës së tyre, duke i akuzuar se po strehojnë militantë të jashtëligjshëm kurdë, raporton “Rel”.

Kryeministri i ri suedez, Ulf Kristersson, vizitoi Ankaranë më 8 nëntor dhe takoi presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, për ta bindur që të heqë dorë nga kundërshtimet e tij.

Pas takimit, Erdogani ka thënë se një takim tjetër i përbashkët do të organizohej në Stokholm më vonë këtë muaj, pa specifikuar datën.

Udhëtimi i kryeministrit Kristersson në Ankara ka treguar se ka “ende shumë vend për dialog”, ka thënë Billstrom.

“Unë mendoj se diskutimet po vazhdojnë në mënyrë shumë pozitive”, ka thënë ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vizituar Ankaranë javën e kaluar për ta shtyrë përpara kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë përfunduar pjesët e para në dy përballjet përmbyllëse të…