Ministria e Shëndetësisë: AVONET po dezinformon

07 prill 2020 | 13:00

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike  të Kosovës (IKSHPK) kanë shprehur shqetësimin e tyre për siç kanë thënë deklarimet e pakujdesshme, të papërgjegjshme dhe të pa argumentuara të organizatës joqeveritare AVONET, lidhur me menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 në Kosovë.

“Rrjeti i OJQ-ve AVONET, në mungesë të informatave burimore, të cilat as që ka provuar t’i kërkojë në institucionet përgjegjëse, dezinformon rreth furnizimeve të bërë nga Ministria në Komuna dhe flet me jo-kompetencë edhe lidhur me testimet që kryhen për SARS-Cov-2 në Kosovë, pa e argumentuar me asgjë atë që e thotë me papërgjegjësi dhe pa i ofruar publikut asnjë argumentim lidhur me kriteret se si dhe kush duhet t’i nënshtrohet testimit”, është thënë në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Reagimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike shprehin shqetësimin e saj për deklarimet e pakujdesshme, të papërgjegjshme dhe të pa argumentuara të një organizate jo-qeveritare lidhur me menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19 në Kosovë.

Në kohën kur Kosova ka, fatmirësisht, numrin më të vogël të rasteve të konfirmuara pozitive me Covid-19 dhe numër të vogël të vdekjeve krahasuar me shtetet e tjera të rajonit nga kjo sëmundje (edhe pse çdo vdekje është humbje e madhe për ne), dhe në kohën kur institucionet e shtetit punojnë 24/7 bashkë me profesionistët shëndetësor për të luftuar për shëndetin e secilit qytetar dhe kur masat e ndërmarra tashmë është konfirmuar se kanë dhënë rezultatet e para pozitive, deklarimet e papërgjegjshme të një OJQ-je, me sfond të panjohur, janë fyerje për secilin punëtor shëndetësor, për të gjithë zyrtarët të administratës shtetërore (qendrore e lokale) dhe të shërbimeve të tjera mbështetëse, të cilët duke ekspozuar veten dhe familjet e tyre para rrezikut, përmbushin me përgjegjësi dhe vetëmohim obligimet para qytetarëve.

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, në mungesë të informatave burimore, të cilat as që ka provuar t’i kërkojë në institucionet përgjegjëse, dezinformon rreth furnizimeve të bërë nga Ministria në Komuna dhe flet me jo-kompetencë edhe lidhur me testimet që kryhen për SARS-Cov-2 në Kosovë, pa e argumentuar me asgjë atë që e thotë me papërgjegjësi dhe pa i ofruar publikut asnjë argumentim lidhur me kriteret se si dhe kush duhet t’i nënshtrohet testimit.

MSh, IKSHPK, SHSKUK dhe institucionet e tjera i bëjnë thirrje kësaj organizate dhe të gjithë të tjerëve, që të bëhen pjesë e angazhimeve për të ndihmuar popullatën në përballimin e kësaj situate, të tregojnë më tepër respekt për punonjësit shëndetësor në angazhimet e tyre dhe më shumë solidaritet me të prekurit me Covid-19 në luftimin e sëmundjes. Gjithashtu, të mos e pengojnë punën e institucioneve.

Mosdija dhe mungesa e informacionit, nuk do të thotë të transformohet në fyerje ndaj atyre që sot po luftojnë për shëndetin e popullatës.

Rrini në shpi! Ky është, me gjasë, kontributi i juaj i vetëm, që mund të jepni në këtë situatë!

Dezinformimi dhe krijimi i panikut në situata të emergjencës së shëndetit publik, është akt i dënueshëm me ligjet në fuqi.

MSh i siguron qytetarët se do të jap maksimumin bashkë me institucionet e tjera në parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe në menaxhimin sa më korrekt të situatës epidemiologjike në vend!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka rekomandime të qarta për…