Ministrja holandeze jep dorëheqje për shkak të kaosit në Afganistan

17 shtator 2021 | 09:52

Ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid Kaag, ka dhënë dorëheqje për shkak të menaxhimit të krizës së evakuimit nga Afganistani, muajin e kaluar.

Ajo është zyrtarja e parë perëndimore që jep dorëheqje, si pasojë e kaosit që ndodhi pasi militantët talibanë morën nën kontroll Afganistanin, më 15 gusht.

Deputetët holandezë kanë miratuar një mocion censure ndaj saj, duke thënë se qeveria ishte shumë e ngadalshme në përgjigje dhe se la pas shumë afganë që duhej të iknin.

Kaag ka thënë se qëndron pas veprimeve të saj, por pranoi vendimin e deputetëve.

Holanda arriti të evakuojë rreth 2 000 njerëz nga Afganistani në dy javët e fundit të gushtit.

Por, qindra afganë që kanë punuar me trupat holandeze, u lanë atje.

Afganët që kanë punuar me forcat ndërkombëtare gjatë 20 vjetëve të fundit, kërcënohen nga talibanët.

Shtetet perëndimore kanë tërhequr mijëra nga Afganistani, por një numër i madh ka mbetur atje.

Kaag ka pranuar se qeveria holandeze ka vepruar në bazë të “supozimeve të gabuara”, por ka thënë se ngritja e shpejtë e talibanëve në pushtet i ka habitur të gjithë, “përfshirë edhe vetë talibanët”.

Këtë javë, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, i cili është kritikuar shumë për vazhdimin e pushimit pasi Kabuli ra në duart e militantëve është zëvendësuar në një riorganizim të qeverisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City dhe Tottenham po përgatiten për një duel në…