MKRS-ja: Prishtina – Drenica zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’

23 gusht 2018 | 15:41

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton opinionin publik rreth dilemave të cilat janë ngritur ditëve të fundit rreth mos zhvillimit të ndeshjes në mes të KF Prishtina dhe KF Gjilani.

Ministria e Sportit është investitori kryesor në këtë projekt, i cili konsiderohet i papërfunduar dhe sipas të dhënave të organit mbikëqyrës ky projekt do të pranohet teknikisht vetëm pas raportit përfundimtar të UEFA-s. Pas pranimit të këtij raporti, palët e involvuara në këtë proces (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ambientit, Komuna e Prishtinës, Federata e Futbollit të Kosovës dhe punëkryesi) do të fillojnë procedurat e pranimit teknik të stadiumit.

“Para disa ditësh është zhvilluar ndeshja e parë testuese në mes KF Prishtina dhe KF Drita për Superkupën e Kosovës, ndeshje kjo e organizuar nga ana FFK-së e cila është monitoruar nga ana e zyrtarëve të UEFA-s. Indikacionet e para të zyrtarëve të UEFA-s, janë që stadiumi i Prishtinës ‘Fadil Vokrri’ i plotëson kriteret e UEFA-s, si stadium i kategorisë IV, andaj, ky është një lajm pozitiv për institucionet, sportin dhe sportdashësit në vendin tonë, sepse Kosova përfundimisht, për herë të parë do t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin e rinovuar i cili mbanë emrin e legjendës së futbollit Fadil Vokrri”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ministri Kujtim Gashi ka deklaruar se pasi të bëhet pranimi teknik dhe certifikimi nga UEFA, stadiumi do t’i dorëzohet Komunës së Prishtinës si pronare, e cila pastaj do të vendosë për të gjitha procedurat e menaxhimit, kujdesin, por edhe mënyrën e shfrytëzimit të tij. MKRS-ja dhe ministri Gashi ka qenë i përkushtuar që nga dita e parë e marrjes së detyrës që të bëjë realitet përfundimin e të gjitha punimeve në stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri” si njëri ndër projektet më kapitale në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë.

MKRS-ja ka njoftuar poashtu se pas takimit që është mbajtur të enjten në mes ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, palët janë pajtuar që ndeshja kampionale mes KF Prishtina dhe KF Drenica e paraparë për 2 shtator të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje kjo e cila do të shërbejë edhe si lojë e dytë testuese para lojës që do ta zhvillojë reprezentacioni i Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, në kuadër të…