Molliqaj kërkon të ndalën menjëherë reduktimet e energjisë elektrike
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kërkuar që të ndalen menjëherë reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë.
Ai ka thënë se reduktimet e energjisë elektrike nuk janë dy orë, por më shumë. Më tutje, Molliqaj ka thënë se Qeveria Kurti është bërë qeveri më shumë vota dhe për asgjë.
“Reduktimet duhet ndaluar menjëherë! Reduktimet e energjisë elektrike janë të padurueshme dhe të papranueshme. KEDS po gënjen! Nuk janë 2 orë në ditë reduktimet. Ka lagje në Prishtinë e fshatra gjithandej Kosovës ku rryma është ndalur për 6 orë rresht. Operatori privat e ka detyrim kontraktual furnizimin me energji elektrike. Nëse kjo nuk ndodh, është Qeveria që duhet të ndërhyjë. Qeveria ‘Krejt dhe Drejt!’ është bërë Qeveri ‘shumë vota për asgjë’. Qeveria nuk po guxon t’iu dalë përballë privatizuesve. Ka ndarë para të gatshme për ta, por prapë nuk kemi rrymë. Aksioni dhe organizimet do të rritën, do të vazhdojnë. Të gjithë që kanë preokupim këtë padrejtësi i ftojmë në mosdëgjueshmëri qytetare. Ajo që sot na bashkon, pa dallim, është terri ku na ka futur kjo qeveri”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.



