Molliqaj: Qeveria Kurti haptazi lufton sindikatat e punëtorëve

25 gusht 2022 | 12:19

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se përkrah grevën e sindikatave.

Ai ka thënë se qeveria Kurti është e vetmja në historinë e Kosovës që haptazi neglizhon, përjashton dhe lufton sindikatat e punëtorëve.

“Ky pushtet që në opozitë protestonte bashkë me sindikatat, në pushtet është bërë armiku kryesor i tyre. Zhvendosja ideologjike përkundër interesave të punëtorëve sjellë këso anomalie. Në krizat e njëpasnjëshme të cilat po i përjetojmë, humbësit e mëdhenj dhe të vazhdueshëm janë punëtorët e familjet e tyre. Qeveria ka rritur buxhetin, biznesi privat ka shtuar çmimet e fitimet, bankat po fitojnë miliona dividentë në kurriz të pagave të ulëta të punëtorëve”.

“Andaj greva është plotësisht legjitime. Është edhe domosdoshmëri. Me rritjen e çmimit të çdo produkti, me rritjen e çmimit të rrymës, me reduktimet që do të vazhdojnë të përkeqësohen gjatë dimrit për faj të mosveprimit të qeverisë, jetesa në Kosovë është vështirësuar shumë”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se punëtorët janë qytetarë të republikës. “Mbi kurrizin e tyre po qëndron kriza e rritjes e çmimeve. Këta njerëz nuk kanë për borxh një qeveri që i neglizhon, i përbuzë, i shantazhon dhe kërcënon. Këta njerëz meritojnë dhe po kërkojnë të jetojnë dinjitetshëm”, ka shkruar kryetari i PSD-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Begzad Baliu (Toskë, gegë e kosovarë!) Naim Frashëri ishte tosku…