Mosveprimi i policisë në qendër të hetimeve për sulmin me armë në shkollë

29 maj 08:14

Veprimet dhe veçanërisht mosveprimi i një prej drejtuesve të policisë së distriktit shkollor si dhe oficerëve të tjerë të zbatimit të ligjit, është kthyer tashmë në qendër të hetimit lidhur me sulmin e përgjakshëm më armë që ndodhi në një shkollë fillore në Uvalde të Teksasit.

Vonesa në përballjen me autorin e dyshuar të sulmit, i cili qëndroi brenda në shkollë për më shumë se një orë, mund të çojë në marrjen e masave disiplinore, ngritje padish e madje në kallëzime penale kundër policisë.

Sulmi që la pas të vdekur 19 fëmijë dhe dy mësues është më përgjakshmi që ka prekur një institucion arsimor në vend në gati një dekadë. Për tre ditë me radhë policia ofroi afate kohore të paqarta e ndonjëherë kontradiktore mbi veprimet e saj, çka nxitën zemërimin dhe zhgënjimin e publikut.

Të premten, autoritetet pranuan se nxënësit dhe mësuesit u ishin lutur vazhdimisht operatorëve të shërbimit të urgjencës (911) për ndihmë, ndërsa shefi i policisë u kishte kërkuar më shumë se 12 policëve të vazhdonin të qëndronin në një nga korridoret e shkollës fillore “Robb”. Zyrtarët thanë se ai besonte se i dyshuari ishte bllokuar brenda klasës dhe se nuk përbënte më rrezik.

Vendimi i shefit dhe gatishmëria e dukshme e punonjësve të policisë për të ndjekur udhëzimet e tij, në kundërshtim me protokollet në fuqi të rastet kur sulmuesi është aktiv, kanë ngritur shumë pikëpyetje.

Pasi personi i armatosur qëlloi mbi nxënësit, oficerët e zbatimit të ligjit nga agjencitë e tjera i kërkuan shefit të policisë së shkollës që t’i lejonte ata ndërhynin sepse fëmijët ishin në rrezik, thanë dy zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Zyrtarët folën në kushte anonimiteti pasi nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht lidhur me hetimin që po kryhen mbi ngjarjen.

Një nga zyrtarët tha se në regjistrimet audio nga vendi i ngjarjes dëgjoheshin oficerët e agjencive të tjera duke i thënë shefit të policisë së shkollës se sulmuesi ishte ende aktiv dhe se prioritet ishte ndalimi i tij. Por ende nuk është e qartë se pse ai i shpërfilli paralajmërimet e tyre.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, i cili gjatë një konferencë shtypi në fillim të javës lavdëroi policinë lidhur me reagimin ndaj ngjarjes, tha se ai ishte keqinformuar në lidhje me përgjigjen fillestare dhe premtoi se do të kishte hetime për të mësuar me saktësi se kush dinte çfarë, kush ishte në krye të (operacionit) dhe se çfarë bënë (punonjësit e zbatimit të ligjit). /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Do të mbajë mot i ndryshueshëm, me diell dhe vranësira…