MSh: Spitali i Tetovës është ndërtuar sipas standardeve të larta të sigurisë

09 shtator 2021 | 12:33

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas raportimeve për lëshime gjatë ndërtimit të spitalit të improvizuar për personat e sëmurë nga Covid-19 në Tetovë, i cili është djegur mbrëmë.

Përmes një njoftimi për medie, Ministria e Shëndetësisë ka vlerësuar se të gjitha spitalet modulare në Maqedoni janë ndërtuar sipas standardeve të larte mjekësore dhe të sigurisë.

“Gjatë ndërtimit të të gjitha spitaleve modulare, materialet e implantuara janë të certifikuara. Ministria e Shëndetësisë informon se qendra e COVID -it në Tetovë është projektuar me tre hyrje, korridoret janë të gjera 2.4 metra dhe parmakët e dritareve janë të ulëta për raste evakuimi. Në këto objekte nuk është përdorur dru, dhe janë vendosur të gjitha elementet tjera të nevojshme për mbrojtje”, është thënë në njoftim.

Sipas MSh-së, edhe spitali i Tetovës është hapur pas kontrollit teknik.

“Pas lëshimit në përdorim, është bërë pranim teknik. Gjatë ndërtimit ka përshkrime të dokumentuara për vërejtje teknike të parëndësishme – mbulesa dyshemeje silikoni, nivelimi i sifonit në tualet, shtrirja e një pjese të ulluqeve, etj. Pas këtyre kërkesave, ato u korrigjuan para se të viheshin në përdorim dhe të shtroheshin pacientët në spital. Këto dokumente do t’i dorëzohen publikut dhe mediave për shqyrtim që sot”, ka bërë me dije MSh-ja, duke shtuar se ky spital posedon të gjitha certifikatat e nevojshme për mbrojtje nga fatkeqësitë.

“Bëjmë thirrje të mos spekulohet me informacione të tillë. Ministria e Shëndetësisë pret që ekspertët dhe organet hetimore të hetojnë sa më shpejt këtë rast të tmerrshëm. Të gjitha aspektet e çështjes duhet t’i nënshtrohen një hetimi të plotë dhe të shpejtë dhe sigurisht përgjegjësisë nëse hetimi e tregon këtë. Vetë qendrat modulare të kovidit kanë qenë dhe janë akoma vendimtare në trajtimin e pandemisë dhe shtrimin në spital të pacientëve. Ato janë ndërtuar sipas standardeve më të larta, dhe prokurimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë është në përputhje me standardet për spitale të tilla që përdoren në shumë vende të botës”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Nga zjarri i mbrëmshëm tragjik 14 persona e humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë janë lënduar.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
200 pacientë me Covid janë duke u trajtuar në spitalin…