Mungojnë pajisjet teknike për t’u dëgjuar dëshmitari, dështon seanca ndaj ish-zyrtarit të AKI-së

16 shkurt 2024 | 16:12

Në mungesë të pajisjeve teknike për t’u dëgjuar dëshmitari Agim Krasniqi ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-zyrtarit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Muhamed Krasniqi, i cili po akuzohet për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Dëshmitari nuk ndodhet në Kosovë derisa lidhja përmes video-linkut nuk funksionon në gjykatë.

“Bazuar në njoftimin për gjykatën nga zyrtari i IT-së se deri në fund të muajit maj nuk ka mundësi të lidhemi përmes video-linkut e po ashtu marrë parasysh njoftimin e përfaqësuesit të tij avokatit Mazrekaj se Agim Krasniqi ka gjasa të rregullojë dokumentacioni dhe të vijë së shpejti në Kosovë, seanca e sotme ndërpritet dhe e njëjta shtyhet derisa ta kemi praninë e dëshmitarit Agim Krasniqi në seancë ose në lidhje me video-link”, ka thënë gjykatësi Naser Foniqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 23 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Muhamed Krasniqi, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara”.

Paraprakisht për shkak të ndërrimit të njëri anëtar të trupit gjykues, gjykimi ka filluar rishtazi dhe se me pëlqimin e palëve janë konsideruar të lexuara të gjitha veprimet.

Edhe seanca e 26 shtatorit 2022, ishte mbyllur për publikun për shkak se nga dëshmia e dëshmitarit do të mund të cenoheshin informatat e ndjeshme të Agjencisë.

Ndryshe, shqyrtimi i dytë për këtë rast ishte mbajtur në kundërshtim me ligjin, pasi që gjykatësi Foniqi kishte zhvilluar seancën në mungesë të të akuzuarit Krasniqi.

Ndërkaq, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 mars 2022, i akuzuari Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë sipas aktit akuzues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të enjten, më 15 shkurt, Vogue njoftoi se Jennifer Lopez,…