Mustafa: Bisedimet për koalicion po shkojnë mirë, Pacollit t’i mundësohet kthimi

28 prill 2020 | 08:47

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që kreut të AKR-së, Behgjet Pacollit, t’i mundësohet kthimi në Kosovë. Për “Express”, Mustafa ka treguar se bisedimet për koalicionin po shkojnë mirë dhe po i zhvillon kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti. Deri më tani, sipas tij, ende nuk është vendosur për ndarje të ministrive brenda Lidhjes Demokratike.

“Bisedat po i zhvillon kandidati ynë për kryeministër, z. Hoti. Jam i informuar që po shkojnë mirë”, ka deklaruar kreu i Lidhjes Demokratike. Ani pse në media tashmë janë publikuar disa prej emrave potencialë për ministra, lideri i LDK-së ka thënë se deri më tani nuk ka diçka të re për ndarje të ministrive. Për to, sipas tij, do të vendoset në mbledhje të kryesisë së partisë.

“Deri tani asgjë nuk ka për ndarje të ministrive brenda LDK-së. Për to do të vendosim në Kryesi të LDK-së, sipas propozimit inicial të kandidatit për kryeministër”, ka deklaruar ai.

LDK-ja pritet që këto ditë të mblidhet për ta finalizuar listën e emrave që do të propozojnë në dikastere.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë thirrje që t’i mundësohet kthimi në vend liderit të AKR-së, Behgjet Pacollit. Me AKR-në, Mustafa tha se mund të punojnë së bashku.

“Sa i përket z. Pacolli, atij duhet t’i mundësohet kthimi në Kosovë si deputet dhe përfaqësues i popullit.  Ne e llogarisim AKR-në si subjekt me të cilin edhe në pikëpamje programore, por edhe në aspektin e filozofisë ekonomike mund të punojmë bashkë”, ka deklaruar ai.

Kjo deklaratë e Mustafës vjen pasi që sot gjatë ditës kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka marrë leje për t’u kthyer në Kosovë. Deri më tani partia e tij nuk ka dhënë sinjale se mund të bëhet pjesë e koalicionit të ri. Pas kërkesës së tij në Ministri të Infrastrukturës, ka reaguar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, që tha se Pacolli do të futet dy javë në karantinë, nëse hyn në territorin e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar dje një bisedë…