Mustafa i habitur nga kërkesa e BE-së që ‘Trepça’ të trajtohet në dialog me Serbinë

05 shkurt 2019 | 15:46

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se është habitur nga kërkesa e Bashkimit Evropian që çështja e “Trepçës” të trajtohet në dialogun me Serbinë.

Mustafa ka thënë se duhet të bëhen bashkë të kundërshtojnë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror.

“Të nderuar qytetarë, më habiti kërkesa e BE-së që çështja e ‘Trepçës’ të trajtohet në dialogun me Serbinë. Kosova në asnjë fazë nuk ka pranuar që për Trepçën dhe pasuritë e saj natyrore, të cilat janë në territorin e saj, të dialogojë me Serbinë. Është kjo një kërkesë absurde dhe e papranueshme, ashtu siç është e papranueshme që me Serbinë të dialogohet për kufijtë dhe për territorin e Kosovës”.

“Në mandatin, kur unë isha kryeministër i vendit, përgatitëm dhe aprovuam Ligjin për ‘Trepçën’, duke e shpëtuar këtë simbol ekonomik të vendit nga falimentimi dhe privatizimi. Deputetët e LDK-së votuan para disa ditësh Statutin e ‘Trepçës’, i cili mori 2/3 e votave në Kuvend. Kjo flet për unitetin tonë karshi interesave jetike të vendit. Duhet të jemi bashkë dhe fuqishëm të kundërshtojmë që në emër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë të dialogojmë çështjet e sovranitetit dhe integritetit tonë shtetëror. Çështjet e shtetësisë sonë! Sepse, kështu si kanë filluar, një ditë do të kërkojnë që edhe frymë mos të marrim pa e dialoguar me Serbinë!”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i PDK-së, Kadri…