Mustafa i reagon Hoxhajt për asociacionin

17 shtator 2020 | 17:42

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se Hoxhaj po gënjen nga foltorja e kuvendit për këtë çështja.

Mustafa ka thënë se vendimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka nënshkruar ish-kryeministri Hashim Thaçi dhe jo ai.

Postimi i plotë i Mustafës:

Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!

Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër.

Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj,  në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.

E kam instaluar dhe fuqizyar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar.  Por, të thuhet se unë e kam bërë marreveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marash Kumbulla ka kaluar vizitat mjekësore te Roma dhe firmosur…