Mustafa: Si mundet një qeveri të ketë përkrahje kur dy herë shkeli Kushtetutën?
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, duke komentuar anketën e UNDP-së në lidhje me kënaqshmërinë e qytetarëve me institucionet, ka pyetur se si mund të ketë përkrahje një qeveri e cila dy herë e ka shkelur Kushtetutën.
Ai ka thënë se nuk beson se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët.
“Nuk besoj, po ashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarve me telefon nga UNDP-ja për punën e mirë të tyre”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mustafës:
Të nderuar miq,
U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet.
E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet.
Nuk besoj se duhet të shkelet Kushtetuta për ta fituar perceptimin nga qytetarët.
Nuk besoj, po ashtu, që institucionet e bllokuara nga Covid-19, të cilat nuk mbajnë takime dhe aktualisht janë jofunksionale, marrin përkrahjen e mbi 3/4 të të anketuarve me telefon nga UNDP për punën e mirë të tyre.
Këto mund të jenë simpati personale. Më së paku vlerësime!
Prandaj, po i lexoj por, që flasin nuk më flasin këto statistika! (L.G / Epoka e re)