Mustafi shpreson të luajë në Botëror

03 maj 14:22

Kampionati Botëror po afron, por Shkodran Mustafi nuk e di ende nëse do të jetë pjesë e tij, apo jo.

Konkurrenca në mbrojtjen e Përfaqësueses së Gjermanisë është e jashtëzakonshme dhe gjasat që futbollisti shqiptar të jetë pjesë e evenimentit më të rëndësishëm të futbollit botëror nuk janë shumë të mëdha. Sidoqoftë, futbollisti shqiptar nga Maqedonia po mundohet ta japë maksimumin tek Arsenali për ta bindur trajnerin Joachim Loeë që ta ftojë në evenimentin, i cili do të mbahet muajin tjetër në Rusi.

“Shkodran Mustafi dëshiron absolutisht të shkojë në Botëror. Megjithatë, mundësitë për të janë të vogla. Por, shpresa mbetet gjallë”, shkruan e përditshmja gjermane “TZ” në versionin e saj online, ku ia ka kushtuar një shkrim ish-futbollistit të Evertonit, Sampdorias dhe Valencias.

“Botërori 2022”, treni i fundit

Fatmirësisht, kampioni botëror është ende i ri. Ai është 26 vjeç dhe nëse vazhdon me formë të mirë mund të luajë për Gjermaninë edhe pas katër vjetësh, kur të jetë 30 vjeç, në “Botërorin 2022”. Megjithatë, fokusi i tij është te “Rusia 2018”. Ai dëshiron ta bëjë krenare vajzën e tij njëvjeçare, duke u shpallur kampion bote dy herë, pasi e bëri një gjë të tillë para katër vjetësh në Brazil me “Die Mannschaft”.

Sigurisht, vajza e tij nuk e di ende se çka do të thotë të jesh e bija e një kampioni botëror. “Kjo do të jetë njëra prej detyrave më të vështira si baba. Nuk është e lehtë kur të gjithë personat duan të bëjnë foto me ty: unë jam babai dhe ajo personi më i afërt imi”, thotë Mustafi.

Momentet më të mira të jetës

Mustafi gjatë intervistës së gjatë ka folur për futbollin, për fenë e tij – islamin dhe për synimin për t’u kualifikuar në finale të Europa Leagues, pasi skuadra e tij sonte e zhvillon ndeshjen e kthimit gjysmëfinale ndaj Atletico Madridit. Më pas ai dëshiron të shkojë te familja e tij dhe t’i shijojë këto momente të arta të jetës së tij. Këto momente janë të rralla, shumë të rralla, pasi ai e ka një jetë me kohë të limituar, si çdo sportist tjetër. Ai synon të japë gjithçka nga vetja deri në minutën e fundit të sezonit, në mënyrë që ta bindë trajnerin Loeë për kualitetin e tij. “Unë kam personalitet. E di se çka ka në skuadër dhe kam eksperiencë”, vijoi Mustafi.

Ia hap dyert e Botërorit lëndimi i Boatengut?

Shkodran Mustafi njihet si një futbollist me fat të madh. Ai ishte pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në “Botërorin 2014” vetëm falë lëndimit të Marco Reusit në atë kohë. Ndërsa shkoi në “Evropianin 2016” pasi iu falënderua lëndimit të Mats Hummelsit. Tash duket se futbollisti shqiptar nga Maqedonia mund t’ia shohë hairin lëndimit të Jerome Boatengut dhe të ftohet në Botërorin e Rusisë. Me siguri besimi i tij i madh në Zot do ta ndihmojë. Para fillimit të lojës ai gjithmonë këndon ajete kuranore.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Ekonomiko-Social, i kryesuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies…