Mysafirët e munguar që po i vijnë Presidentit të Shqipërisë

04 dhjetor 2022 | 20:48

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri i ftuar prej homologut të tij shqiptar, Presidentit Bajram Begaj.

Padyshim, një ngjarje e madhe politike më së pari, e natyrisht, edhe një gjest diplomatik i rendit sipëror prej kryetarit të shtetit më të fuqishëm të Europës, që shpreh jo thjeshtë nivelin shumë të mirë dhe miqësor të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, që mbërrin kësisoj në shkallën më të lartë të hierarkisë shtetërore, pra deri në nivelin e kryetarëve të shteteve, por edhe cilësinë e veçantë të këtyre marrëdhënive si një mbështetje e pakursyer për Shqipërinë, të cilat për të qenë të tilla nuk kanë më asnjë pengesë, për çka, meritën kryesore e ka padyshim zgjedhja e Presidentit Bajram Begaj dhe garancitë që jep integriteti i tij.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që vetëm pak muaj pas zgjedhjes së zotit Begaj në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, vendin tonë e kanë vizituar dy kryetarë shtetesh me peshë politike krejt të veçantë në Europë e më gjerë si Italia dhe Gjermania, por edhe të tjerë aktorë të rëndësishëm politikë si fjala vjen Presidenti i Azerbajxhanit, kryeministri i Spanjës, kryeministri i Luksemburgut, Presidenten e KE Ursula von der Leyen apo senatorë e kongresmenë nga SHBA-ja, ndërkohë që përgjatë periudhës së presidentit Ilir Metaj, jo vetëm që vizita të tilla as që mund të mendohej të ndodhnin, por ç’është më e keqja, kishte raste që edhe kur vinin në Shqipëri kryetarë shtetesh apo zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe të SHBA, nuk dënjonin ta takonin Presidentin e Shqipërisë qoftë edhe vetëm për kortezi diplomatike.

Ardhja në Shqipëri e Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier si ajo e mëhershmja e Presidentit të Republikës Italiane Sergio Mattarella, janë pa asnjë dyshim ngjarje të mëdha politike dhe diplomatike për vendin tonë, por po aq edhe mbështetje e hapur për Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj, mbështetje e dëshmuar pa asnjë rezervë prej vetë dy mysafirëve të nderuar.

Për ata që dinë të kuptojnë nga gjeste të tilla politike dhe diplomatike, mesazhi është i qartë: Presidentit të Republikës së Shqipërisë po i vijnë mysafirët e munguar. Dhe kjo për disa arsye.

Së pari, është rikthyer normaliteti në funksionimin e institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Së dyti, në krye të shtetit është një personalitet me integritet moral dhe qytetar të pakontestuar prej askujt, as prej atyre që nuk e kanë votuar zotin Begaj.

Së treti, Presidenti i Republikës nuk mbart asnjë ngarkesë negative prej përgojimit me apo pa të drejtë për afera korruptive apo kriminale.

Së katërti, vetë zoti Begaj, duke respektuar pozicionin mbi palët dhe krejtësisht të baraslarguar prej tyre siç ia imponon kushtetuta, është shndërruar që në fillimin e mandatit të tij, në presidentin që i duhet vendit, në vëmendjen e të cilit nuk është rendja sa nga njëri shesh në tjetrin apo nga ekrani në ekran, por integriteti dhe kushtetutshmëria e pozicionit të lartë që përfaqëson.

Ardhja e mysafirëve që i kanë munguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është ndërkaq edhe respekti i tyre për popullin shqiptar, është mbështetje dhe inkurajim për vendin tonë në rrugën e pakthyeshme të integrimit europian, është në fund të fundit edhe dëshmi se anormaliteti në funksionimin institucional dhe kushtetues të institucionit të Presidentit të Republikës është i një kohe të shkuar./ CNA.al/ ARBEN BARDHI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglia ka kaluar në epërsi në ndeshjen ndaj Senegalit (1-0).…