Nait Hasani: Në Jabllanicë erdha pranë Myrtë e Sadri Zenelit, Naser Brahimajt dhe nënës së UÇK-së, Azë Brahimaj, që me gjak e pushkë mbrojtën vendin
Ish-deputeti dhe njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Nait Hasani, ka përkujtuar Ditën e Çlirimit në Kompleksin Memorial të Shqiponjës së Gjakovës, duke nderuar dëshmorët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një fjalim emocional para të pranishmëve, Hasani kujtoi vizitat e hershme në familjen Brahimaj dhe pritjen që i bëhej nga nëna Azë Brahimaj, të cilën e cilësoi si “nëna e UÇK-së”.
“Këtu afër nesh janë Myrtë e Sadri Zeneli, Naser Brahimaj. Këtu është nëna ime, nëna e UÇK-së, Azë Brahimaj, që me pushkë e gjak e mbrojtën vendin. E këta të gjallët, Lahiu e Xhevati, Hyseni e Hajdari dhe Sokoli me të tjerët, janë këtu mes nesh si heronj veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Hasani.
Fjalimi i plotë i Hasanit:
Të nderuar banorë të fshatit Shqiponjë ish Jabllanicë, të nderuar familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë erdha sot këtu në Jabllanicë dhe mora fjalën jo për të mbajtur fjalime politike as partiake.
Unë erdha këtu për t’ju treguar djemve e vajzave, nipave e mbesave të juaja se këta djem e vajza, nëna e motra, janë heronjë të çlirimit e lirisë së Kosovës.
Këtu afër nesh janë Myrtë e Sadri Zeneli, Naser Brahimaj..
Këtu është nëna ime, nëna e UÇK-së Aze Brahimaj, që me pushkë e gjak e mbrojtën vendin, e këta të gjallët, Lahiu e Xhevati, Hyseni e Hajdari dhe Sokoli e të tjerët, janë këtu mes nesh të gjallë, heronjë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pra duhet ta dimë të gjithë se pa këta djem e vajza, pa nënat tona që i dolën zot vendit, ky vend e Jabllanica nuk ishte çliruar, pra me këta dhe dëshmorët Kosova sot është e lirë.
Unë kur erdha këtu në vitet nëntëdhjeta në Jabllanicë, pas disa tentativave m’u taku në Gjakovë me Lahiun e Luanin, erdha me kërkesë të lidhjeve e kodeve që kishin atëherë. Erdha në Jabllanicë në ditën kur është martuar Shkëlzen Haradinaj, unë hyra në shtëpi të Lahiut pas porosive të Xhavit Halitit, Ali Ahmetit dhe të Nazmiut, vëllait të Lahiut dhe aty ishte nëna Aze me fëmijë.
“Ku është Lahiu?”, e pyeta.
“Në dasmë të Shkëlzenit te motra, tha, tash vijnë”.
Aty në dhomën e zjarrit, në shkam druri ulur, bisedonim dhe pimë kafe. Me veshjen dhe pamjen e saj tregonte vuajtjet dhe mundimet e jetes dhe kohës, gjendjen e saj të fortë burrërore me gjuhën e butë amnore.
Ndejtëm orë bashkë aty me nënën Aze dhe me Naser Brahimajn deri kur u terrua dhe shkuam në kullë.
Aty në kullë u mblodh rrethi i Lahisë, bisedonim e llafosnim për hallet e politikën e kohës.
Me ardhjen e Lahisë dhe shkuarjen e tyre filluam të bisedonim për angazhimet tona të njësive guerile dhe vazhdimin e luftës. Të nesërmen u nisa me autobusin e pare te mëngjesit për Gjakovë, por me mua erdhi edhe nëna Aze. U ulëm veç e veç në ulëse dhe nën vëzhgimin e saj shikonim hyrje daljet neper stacione te njerezve, pa folur mes vete, vetëm herë pas here shikoheshim me sy dhe kur zbritëm në Gjakovë, në stacion të autobusëve, me kokë u përshëndetëm dhe këtë rruge e beme jo vetëm njëherë.
Ajo ishte aty në çdo kohë me gatishmërinë e saj, me bukë e barut për ushtarët e UÇK-së.
Sot këtu pranë nesh janë dëshmorët që dhanë gjakun për liri, mes nesh janë invalidët dhe veteranët që e bënë lirinë dhe çlirimin e Kosovës, këta janë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këta janë heronjtë e Kosovës, keta jane djemte e vajzat tona qe shkruan historine me luften tone, prandaj respekt për të gjithë veteranet e invalidet, per mundin, sakrificën që e bëtë për lirine e vendit.
Luftën tonë sot po na e fyejnë, po na e shajnë ata që nuk kanë pasur guxim të kapin pushkën e të luftojnë për Kosovë, atyre që u ka ikur koha për të treguar veten e trimërinë në luftë, ata që kanë bashkëpunuar me Serbinë, por nuk do të mund ta përdhosin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës askush, sepse lufta jonë është kombëtare, e drejtë, e pastër dhe çlirimtare dhe e shenjte.
Sot e dje na kanë gjykuar në gjykata ndërkombëtare e speciale ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot për të gjashtin vit mbahen padrejtësisht ne Hage me shpifje e spiunazhe dhe akuza të bashkëpunëtorëve të Serbisë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi e Salih Mustafa e të tjerë e shteti ynë hesht, bën sehir dhe gjakprishurit e bashkëpunëtorët e Serbisë dhe spiunët luten për dënime me burgime të përjetshme.
Po luftën tonë s’ka gjykatë që mund ta dënojë, o të mjerë e te shitur bashkëpunëtorë të Serbisë, ajo i ka rrënjët në gjak dhe heronjtë e saj janë gjallë, këtu jemi ne, janë veteranët e UÇK-së.
Ata që fyejnë e përdhosin luftën tonë do të përballen me kohe me reagimet e popullit dhe me drejtesin e ligjin.
Te nderuar banorë të fshatit, te nderuar ushtarë, policë, te nderuar veteranë, ju jeni liria e Kosovës, jeni mbrojtja e saj dhe këta djeme e vajza janë e ardhmja e atdheut tonë.
Lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Nderime e respekt banorëve të fshatit Jabllanicë!




