Narkoza e vizave – mit apo realitet (5)

26 dhjetor 2018 | 11:12

Shkruan: Agron Hoti

Ç’na thoshte BE-ja?

Deri më tani janë të panumërta takimet me zyrtarë të BE-së dhe shteteve anëtare të saj ku na thuhej se vizat do të hiqen shpejt, bile-bile kishte shumë prej tyre në takime të mbyllura thoshin se tetori i 2018-s është data më e largët. Ndërsa publikisht vazhdimisht na thuhej që “sa më shpejt që plotësojmë kriteret, aq më shpejt do të hiqen vizat”. Edhe pse na vunë dyfish kritere më shumë sesa vendeve të rajonit, Kosova, pavarësisht prej vështirësive, ia arriti t’i plotësojë të gjitha kriteret. Dhe këtë e konfirmoi publikisht dhe qartazi vetë BE-ja. Askush nuk e detyroi. Pra, ishte puna e institucioneve të Kosovës ajo që e shtyri BE-në të japë vlerësimin pozitiv, e jo mospuna. Fundja, pse Komisioni Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve, kush e detyroi?! Në qoftë se kanë konsideruar që ende s’kemi plotësuar kriteret, atëherë pse nuk e thanë këtë qartë dhe haptazi, fundja shqiptarët nuk kanë marrë asgjë shpejt nga Evropa në qoftë se ka ndonjë popull që ka përfituar më së voni nga zhvillimet historike pozitive politike dhe ekonomike evropiane, rasti i popullit shqiptar është më tipiku. Ndërsa, kurbanizimi i vazhdueshëm i shqiptarëve për interesa të fqinjëve greko-sllavë ka qenë përditshmëri e zezë për shqiptarët pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Ballkanit kanë jetuar.

Brenda për brenda BE-së kishte edhe deklarime interesante. Përderisa institucionet e Kosovës po punonin në plotësimin e kritereve të kërkuara një nga një, paralelisht me këtë proces, përfaqësues të institucioneve të BE-së kritikonin vetë institucionet e BE-së për vonesat që shkaktoheshin nga këto të fundit. Bile-bile Shtete Anëtare të ndryshme të BE-së, kryesisht të vendeve të fuqishme, ishin dhe janë shumë kritikë ndaj institucioneve të BE-së, diçka e pakuptueshme për qytetarët e Kosovës, të cilët BE-në e shohin si strukturë gati e përkryer.

Kështu Tanja Fajon dhe Ulrike Lunaçek, duke parë vonesat e paarsyeshme të Komisionit Evropian në publikimin e raporteve për plotësim të kritereve që bëheshin kohë pas kohe, qysh në fillim të vitit 2014 i patën kërkuar urgjentisht zonjës Cecilia Malmstrom, atëbotë Komisionare për Çështje të Brendshme, që “Komisioni Evropian deri në fund të vitit 2014 të hiqte vizat për qytetarët e Kosovës, sepse çështje e vizave ishte më e cenueshmja për qytetarët e Kosovës duke pasur parasysh që përparësia e lëvizjes së lirë nuk kishte çmim dhe se qytetarët e Kosovës e meritonin atë”.

Më tutje në maj 2016, znj. Urike Lunaçek, zëvendëspresidente e atëhershme e Parlamentit Evropian e ngarkuar me Ballkanin Perëndimor dhe Raportuese për Kosovën në Parlamentit Evropian, thoshte që “Komisioni Evropian kishte pritur që sa vite dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për shtetin më të ri në Evropë dhe se kjo tejzgjatje do të shpinte në një izolim të papranueshëm për qytetarët e Kosovës duke ditur që liria e lëvizjes veç ishte duke u gëzuar nga qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit që nga fundi i vitit 2010”.

Më tej ajo thoshte që “liberalizimi i vizave nuk është një e drejtë, por diçka që bazohet në merita, prandaj Qeveria e Kosovës kishte bërë mjaft shumë në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe se topi tanimë ishte të ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian që të mbanin premtimin dhe të arrinin ujdi”.

Në vazhdën e deklarimeve pro liberalizimit të vizave është edhe deklarata e zonjës Frederica Mogerini, Përfaqësuese për Politikë të Jashtme të BE-së, e cila në shtator 2017 në një takim me Komisionarin për Zgjerim, Johanes Hahn, dhe Zëvendëskryeministrin Pacolli, kishte deklaruar që “me formimin e Qeverisë së re, Kosova ishte në pozitë të mirë për të lëvizur përpara në përmbushjen e vetëm dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, më konkretisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe krijimin e një regjistri të qëndrueshëm të rasteve të shënjestruara që kishin të bënin me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ndërkohë duke folur për rëndësinë e vizave dhe për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Përfaqësuesja për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederika Mogerini, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker kishin ndërmarrë një vizitë të përbashkët në rajon dhe Kosovë në shkurt të këtij viti (2018). E tëra kjo po bëhej në një kohë kur evropeizimi kishte filluar të shënonte zbehje jo vetëm në BE, por edhe Ballkan.

Dhe pikërisht më 28 shkurt 2018 Juncker pati thënë në Prishtinë se “nuk ndihej mirë që kosovarët janë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë, ata duhet të kishin të drejta të njëjta, me kushtin që të ratifikonin marrëveshjen e demarkacionit dhe të vazhdonin luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Kurse, institucionet e Kosovës bënë pikërisht atë që kërkonte Juncker, Mogerini dhe Hahn, pra ratifikuan me shumë mund demarkacionin dhe vazhduan me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aspekte këto që u vlerësuan qartë nga Komisioni Evropian, prandaj edhe u dha rekomandimi pozitiv në korrik 2018.

Në vazhdën e deklaratave premtuese të Zyrtarëve të Lartë të BE-së është edhe ajo e Komisionerit Avramopoulos, i cili derisa po publikonte raportin pozitiv për viza, më 18 korrik 2018 deklaronte se “pas disa viteve pune dhe përpjekjeje serioze, Komisioni Evropian konfirmonte se Kosova kishte plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe inkurajonte Këshillin e Ministrave të BE-së dhe Parlamentin Evropian që të ecnin tutje me propozimin e Komisionit Evropian duke qenë personalisht i bindur që ishim shumë afër regjimit pa viza, i cili pritej të ndodhte shpejtë”.

E maja e majës së premtimeve të BE-së ishte deklarata e zonjës Mogerini më 27 shkurt 2018 kur ajo në televizionin publik të Kosovës thoshte shumë qartë se “nëse ratifikohet demarkacioni, liberalizimi i vizave është gati”. Si mund të thonë sot zyrtarët e BE-së se nuk kemi dhënë premtime?! Kjo është një nga deklaratat më të qarta të ajkës së BE-së dhe konform kësaj është dashur të reflektohet. Bile bile deklarata e Mogerinit në shkurt 2018 ishte dhënë ende pa u dhënë rekomandimi pozitiv nga ana e Komisionit Evropian (në korrik 2018) dhe me këtë deklaratë me siguri që nuk mendoheshin vite, por vetëm disa muaj.

Tutje më 13 nëntor 2018 në një intervistë për Radion Evropa e Lirë,  Tanja Fajon thotë që “insiston që vendet anëtare të përdorin të njëjtat standarde për Kosovën siç kanë qenë vitet e fundit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Pasi kushtet të plotësohen ne duhet të ecim tutje. Nëse këto principe vihen në pikëpyetje atëherë ne humbin kredibilitetin”.

Më tutje Fajon thotë që “është e shqetësuar me disa zhvillime dhe deklarata lidhur me liberalizimin e vizave, siç ishte ajo e kancelarit austriak Sebastian Kurz gjatë vizitës në Prishtinë. Është e papranueshme sesi disa politikanë po mundohen që të politizojnë edhe më tutje procesin, duke imponuar kushte të reja dhe në këtë mënyrë të vonojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”.

Pra, ishin të panumërta takimet e Zyrtarëve të Lartë të Institucioneve të Kosovës me homologët e tyre nga Shtetet Anëtare të BE-së që nga viti 2012 (kur na u dha Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave) e deri më sot ku na thuhej se sa më shpejtë që plotësoni kriteret aq më shpejtë do të lëvizni pa viza. Nga pothuaj të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së na thuhej që sapo Komisioni Evropian ta konfirmojë përmbushjen e kritereve, qytetarët e Kosovës shumë shpejtë do të gëzojnë këtë të drejtë elementare ashtu siç që sa vite e gëzojnë të gjitha vendet e rajonit.

Dhe prapë, kur kriteret u plotësuan Shtetet Anëtare të BE-së sillen e mbështillen duke thënë se gjoja fryma në BE është shumë e komplikuar dhe se çdo vonesë eventuale në këtë drejtim nuk është për faj të Kosovës, por për shkak të problemeve multidimensionale që kanë kapluar BE-në gjithandej.

Sigurisht që neve nuk na mbetet rrugë tjetër, pra institucionet e Kosovës edhe pse e kuptojnë gjendjen e përgjithshme dhe të rëndë brenda BE-së patjetër që do të vazhdojnë punën në të gjitha drejtimet e mundshme drejt integrimit evropian, ashtu sikundër që presin nga BE dhe Shtetet Anëtare të saj të respektojnë parimet dhe mbajnë premtimet.

Vazhdimisht na thuhej nga BE-ja që procesi i liberalizimit të vizave është tërësisht teknik, ndërkohë që tashmë na doli se procesi na qenka krejt politik dhe se, sipas deklaratës së kryeministrit austriak, Sebastian Kurz, të bërë më 6 nëntor 2018 në Prishtinë, na del se “ende nuk paska konsensus mes shteteve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave”. Në qoftë se nga institucionet e Kosovës kërkohet përgjegjësi në këtë proces, atëherë e duhet që edhe BE-ja ta marrë përgjegjësinë për shtyrje maratonike të këtij procesi?! (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka ndarë 'Medaljen Presidenciale'…