Ndarja territoriale, çmim fatal në Ballkan

03 korrik 2018 | 11:26

Burim Ramadani

Orvatjet e sërishme të Serbisë për ta vendosur ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje e problemit duhen parë si të pazbatueshme dhe destabilizimsjellëse. Preferenca e vjetër serbe, në fakt ndarja territoriale, është opsioni që fare nuk i duhet jo vetëm Kosovës, por tërë Ballkanit.

Opsioni i vjetër i preferuar për Serbinë tashmë vërehet se po vihet në sipërfaqe sërish, vite e dekada pas tentimeve të dështuara. Porse, ndarja e Kosovës nuk është zgjidhje. Ajo, në fakt, është rifillimi i problemeve dhe destabilizimit në Ballkan, është hapje e një procesi për ridefinimin e kufijve në regjion, madje edhe vënien në pikëpyetje të ekzistencës së shteteve fqinje.

Orientimi i shqiptarëve në Ballkan asnjëherë gjatë historisë nuk ka qenë destabilizimi apo politikat shoviniste. E kundërta ka qenë përgjigjja e Serbisë edhe gjatë kohës së ish-Jugosllavisë. Shpërbërja e dhunshme e shtetit jugosllav ka treguar se Kosova ka qenë e vetmja njësi e federatës që ka tentuar dhe është angazhuar të mos kontribuojë në valën e tmerrshme të dhunës. Kosova u përball me nevojën e luftës, si mjet i domosdoshëm për çlirimin e vendit. Ndihma e bashkësisë ndërkombëtare në krye me ShBA-në doli të jetë vendimtare për të na mundësuar të jetojmë të lirë në Kosovë.

Përpjekjet e sërishme të Serbisë për ta vendosur ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje e problemit duhen parë si të pazbatueshme dhe destabilizimsjellëse. Edhe në praktikat e tjera është dëshmuar se opsioni i ndarjes është opsion i dhimbjeve, vështirësive, deportimeve apo transferimeve, koncentrimeve, krizave humanitare dhe problemeve ligjore. Kjo është pjesa e parë e shpjegimit të problemit të ndarjes së Kosovës.

Do të thotë, në një rast të tillë do të kemi krizë humanitare të shpërnguljes së popullatës shqiptare dhe serbe nga njëra pjesë në tjetrën, do të kishim probleme me pronat e tyre dhe probleme të ngjashme. Porse ky problem është shumë i vogël në krahasim me atë që do të mund të përballeshim nëse opsioni i ndarjes arrin të fitojë përkrahje më të gjerë. Duke e parë si të rrezikshme këtë skenar të mundshëm të zhvillimeve të ngjarjeve, besoj se është kruciale për bashkësinë ndërkombëtare refuzimi me forcë i ndarjes së Kosovës, madje edhe i tentimeve të Serbisë për të vendosur në tavolinë e për të biseduar rreth saj në çfarëdo forme qoftë.

Organizimi i shtetit të Kosovës vetëm në një pjesë të territorit të saj nuk ka kuptim. Po ashtu, nuk kanë kuptim më as tri parimet prijëse të Grupit të Kontaktit. Kosova nuk do të mund ta qetësonte frustrimin e qytetarëve që kanë humbur shumë në tërë këto dekada. Zërat për bashkimin në një shtet me Shqipërinë do të dilnin dita-ditës. Nuk do të mund ta ndërtonim asnjë njeri, madje as prej balte, që do të mund të argumentonte se shqiptarët në Ballkan nuk duhet të krijojnë një shtet të vetëm. Në një Ballkan të rivizituar kufijsh, stabiliteti ndoshta do të mund të arrihej, por çmimi për të do të ishte fatal. Fitore e Pirros do të mund të quhej kjo për të gjithë ballkanasit, duke e paguar këtë në mënyrë krejt më të veçantë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, është zyrtari i parë shtetëror që e…