“Ndeja e shtalbave”, “Ballkoni i hapur” | Krejt çfarë tha e bisedoi kryeminsitri Kurti me bashkatdhetarët këtë javë

07 gusht 2022 | 18:15

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nga 27 korriku ka nisur projektin “Karvani i Diasporës”, i cili i dedikohet mërgatës tonë që jeton në shtete të ndryshme të botës.

Në aktivitet që po organizohen në qytete të ndryshme po merr pjesë edhe kryeministri Albin Kurti i cili po bisedon nga afër me bashkatdhetarët, shkruan Reporteri.net.

Ai nga data 1 gusht, një ditë pas aksionit në Veri të Mitrovicës ka nisur takimet me mërgatën, ku edhe ka organizuar një pritje për ta në Qeveri, në “Ballkonin e Hapur”.

Kurti më datë 1 gusht mori pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës”, në Komunën e Podujevës, ku i falënderoi bashkatdhetarët, pasi siç tha ai, “na bënë bashkë këtu pranë përmendoreve të heronjve dhe të dëshmorëve, të atyre që dhanë gjithçka në mënyrë që ne të jetojmë të lirë në atdheun tonë, në vendlindjen tonë”.

Po ashtu, ai i falënderoi posaçërisht mërgimtarët që asnjëherë nuk po e harrojnë Kosovën, nuk po e harrojnë Podujevën, dhe po vijnë të çmallen me familjen e tyre, me farefisin e gjerë, por edhe me miq e dashamirë që i kanë në vendlindje.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, në ekonomi dhe në kulturë”, tha kryeministri.

“Duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vjetët e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit”, tha Kurti.

“Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për të mësuar shqipen më mirë dhe për t’u njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre, me kulturën e paraardhësve të tyre”, tha ai.

“Ne besojmë që është i mundshëm integrimi pa asimilim, dhe me ministritë tona do t’ju ndihmojmë për këtë gjë. Në veçanti e kemi programin ‘Diplomacia qytetare’, sepse ne konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni”, tha Kurti gjatë takimit me bashkatdhetarët në Podujevë.

Ndërsa një ditë pas, më 2 gusht kryeministri Kurti organizoi pritje për mërgimtarët në objektin e Qeverisë, konkretisht në ballkonin e Qeverisë, që e quajti organizimin “Ballkoni i Hapur”.

Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë, e në Prishtinë.

Kurti theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë.

“Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës”, tha Kurti, i cili shtoi se “kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human”.

“Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë”, tha Kryeministri.

“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar.
Në rritjen tonë ju jeni faktor shumë i rëndësishëm dhe ne besojmë që mund të jeni faktor edhe më i rëndësishëm në rritjen e mëtutjeshme, theksoi Kurti, shkruan Reporteri.net.

“Ne ju kemi shumë borxh, një borxh të cilin nuk pretendojmë t’ua lajmë sepse e dimë që është e pamundur, mirëpo me politika të mira dhe me bashkëpunim të dendur jemi të bindur që sadopak mund ta lajmë një pjesë të vogël të këtij borxhi, i cili është aq i madh sa që i pallogaritshëm”, ju tha Kurti bashkatdhetarëve.

Kryeministri Kurti vazhdoi takimet e tij me mërgimtarë edhe më 6 gusht. Ai të shtunën udhëtoi drejt Ferizajt, më saktë në fshatin Jezercë, aty ku u mbajt ‘Ndeja e Shtalbave’ me diasporën.

Kurti ishte mysafiri kryesor i organizmit, i cili u kërkua me të madhe nga diaspora për fotografi, gjë që tha se bëri që ai të mbete pa e ngrënë shtalbin.

“Për shkak të fotografive dhe fjalimeve mbeta pa e hëngër shtalbin, por mos ma merrni, ai që është gjysmë është i imi”, tha Kurti duke qeshur.

Kurti poashtu e falënderoi diasporën që e kishin votuar atë.

 

Kryeministri Kurti, po të shtunën bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mbajtën një bashkëbisedim me bashkatdhetarë në lidhje me ndikimin që mund ta ketë mërgata në proceset shoqërore karshi angazhimit dhe planit që ka qeverisja jonë për diasporën.

Kryeministri Kurti tha se qeveria është duke punuar në krijimin e kushteve për ngritjen e investimeve nga mërgata në atdhe, dhe për transferim të dijes e përvojës nga mërgata në Kosovë.

“Nuk ka ministri që nuk ka dikë nga mërgata jonë, e ne i kemi tre ministra që i janë bashkangjitur qeverisë sonë pikërisht nga diaspora. Ministra e Shëndetësisë, ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë tre veprimtarë të çështjes kombëtare, profesionistë të dalluar, të cilët janë në kabinetin tonë qeveritarë”, tha ai.

“Brenda vitit pritet finalizimi i ligjit të ri për diasporën dhe strategjia për angazhimin e diasporës. Do ta trajtojmë edhe çështjen e votës jashtë vendit në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos mbahen sikur në të kaluarën kur duhet të votohet para se të bëhet fushata shumë më herët përmes postës ose duhet paguar biletat e shtrenjta të aeroplanit për Kosovë. Mërgata jonë gjithmonë është e mirëseardhur mirëpo kemi për detyrë që shërbimi ynë i jashtëm, përfaqësitë tona diplomatike, ambasadat dhe konsullatat të mundësojnë edhe shërbimin e votës prej jashtë vendit”, tha Kryeministri Kurti.

Në lidhje me punët që kanë filluar tashmë, Kurti kujtoi koncept dokumentin për mësimin plotësues jashtë vendit; grupin punues ndërinstitucional për të adresuar sfidat që i kemi përpara për anëtarësimin në Byronë Evropiane për Kartonin e Gjelbër; Lansimin e nismës ‘Shijo Kosovën’ që për qëllim ka bashkëbisedim me pjesëtarë të diasporës që janë kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë; Letrat me vlerë të Thesarit; Programi për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim t’i ndërlidhë profesionistët nga diaspora. /Reporteri.net/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë…