Ndeshjet e shtatorit, Reja: Kemi bërë progres, ky grup mund të na japë kënaqësi të mëdha

29 gusht 2021 | 12:55

Trajneri Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, ka folur për medie në prag të grumbullimit të skuadrës për tre ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror Katar 2022, ndaj Polonisë në transfertë dhe Hungarisë e San Marinos në “Elbasan Arena”.

Trajneri Reja i është përgjigjur interesimit në lidhje me listën e lojtarë të grumbulluar dhe sfidat që e presim skuadrën në këto ndeshje të muajit shtator.

“Kemi një listë prej rreth 30 lojtarësh, por kemi probleme me disa të dëmtuar siç janë Dermaku, Veseli dhe Lenjani, të cilët duan disa javë të rekuperohen dhe të jenë në formë optimale. Pastaj, risia ishte Ivan Balliu, i cili luan në La Liga me Rayo Vallecano dhe po paraqitet shumë mirë në fillim sezoni. Mendova ta rikthej në listë, por dje dolëm në telefon, nuk është mirë fizikisht, pasi ka probleme me pubalgjinë dhe ka inflamacion të abduktorëve e për këtë arsye nuk është ende në kushtet e duhura. Gjithsesi, e kemi lënë që të flasim sërish për të parë nëse kemi mundësi ta grumbullojmë. Për herë të parë me ne vjen Muçi, i cili ishte pjesë e Kombëtares U-21 dhe e kishim nën vëzhgim. Është një djalosh i vitlindjes 2001 dhe gjithashtu kemi marrë Çepelen, të cilin e njohim tashmë. Po integrojmë këto të rinj së bashku me Brojan, Çokajn, Muçin e Çepelen, të cilët janë lojtarët e rinj që duhen vëzhguar për perspektivën. Për të tjerat, kemi grupin e zakonshëm, që unë e kam formuar tashmë. Po bën paraqitje shumë të mira edhe Çekiçi, i cili është transferuar në klubin e Cikalleshit në Turqi dhe luajnë rregullisht për 90 minuta”, ka thënë ai.

Reja ka thënë se sezoni në pjesën më të madhe të kampionateve “ku aktivizohen lojtarët tanë sapo ka filluar, dhe gjendja fizike e lojtarëve është një element që duhet të shikohet me kujdes nga stafi teknik në këtë grumbullim që fillon në Varshavë ditën e hënë”

“Ka lojtarë që po luajnë rregullisht. Më vjen keq për Berishën dhe Strakoshën, që janë në stol me klubet, por janë lojtarë që meritojnë besim. Ata stërviten rregullisht, por nuk kanë mbase reflekset e ndeshjes, pasi nuk kanë pasur mundësi të luajnë. Për pjesën tjetër, Ismajli, Gjimshiti luajnë rregullisht, Kumbulla ndihet mirë, edhe pse nuk ka luajtur me Romën së fundmi. Hysaj po luan, Doka po ashtu, Roshi ka ndehsje të shtunën, Trashi, Mitaj, Çekiçi, po luajnë. E njëjta dhe për Trashin, Baren, Laçin, Cikalleshin. Manaj është pjesë e grupit të Barcelonës, qëndron në pankinë, ka luajtur pjesën e parë të miqësoreve. Ka luajtur dhe është paraqitur mirë. Më ka informuar se është në gjëndje shumë të mirë edhe se nuk luan. Do ta shikojmë dhe do ta verifikojmë në Varshavë, duke parë që do të kemi tre ditë përpara. Do të flas me të gjithë lojtarët për ti pyetur për gjëndjen e tyre”, ka thënë ai.

Pjesë nga konferenca e trajnerit Reja:

Xhaka? Xhaka ishte pothuajse 6 muaj i dëmtuar ndërkohë që tani është rikuperuar. Kam parë që po luante, një pjesë, 75 minuta por edhe ndeshje të plota. Ai thotë se ka akoma probleme në gju, nuk ndihet akoma në gjendje duke parë që ka pak kohë që ka filluar të luajë. Jemi dakortësuar që do të flasim nesër për të vendosur nëse do ta grumbullojmë apo jo. Ky është një vlerësim që sinqerisht do ta bëjmë nesër. Ai është thërritur këtë herë, ashtu si edhe herët e tjera, por nuk ka qenë në gjendje në ndeshjet e mëparshme për shkak të dëmtimit në gju. Unë uroj që të shërohet në mënyrë që të jetë i vlefshëm edhe për Shqipërinë.

Bajrami? Për Bajramin ashtu siç e dini ka qenë kjo seancë gjyqësore mbi mundësinë për të ardhur e luajtur me Shqipërinë. Unë kam folur me lojtarin dhe babain e tij. Ata duan të luajë për Shqipërinë absolutisht, vetëm se ka qenë ky ngërç. Përgjigjen do ta kemi vetëm të hënën ose të martën maksimumi. Datat e FIFA-s janë këto kështu që do të presim. Unë uroj që të arrijë të vijë me ne duke parë që është një lojtar që mund të na japë diçka më shumë nga mesfusha e përpara sepse është një lojtar që ka cilësi, driblon kundërshtar dhe synon portën. Ka pasime cilësorë, filtruese, do ishte një vlerë e shtuar për këtë skuadër”.

Mungesat në këto ndeshje do të ndikojnë? Më mungojnë lojtarët e dëmtuar që janë lojtarë të rëndësishëm për ne, sepse do të kisha mundësinë për të bërë ndonjë zgjedhje, por jam i bindur që këto 27 lojtarë që kam grumbulluar janë zgjedhja më e mirë përballë asaj që ofron Shqipëria. Ndërkohë rritja ka qenë, dhe pres akoma një rritje të mëtejshme në këto kualifikuese për Kampionatin Botëror.

Ekipi do të nisë grumbullimin prej ditës së hënë në Varshavë, ku do të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjes me Poloninë përpara se të rikthehen në Kompleksin Tropikal, ku do të vazhdojnë stërvitjet për ndeshjet shtëpiake ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe ndaj San Marinos më 8 shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rikthimi i Cristiano Ronaldos në Manchester United ka bërë bujë…