Ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Greqisë t’i shfrytëzojmë për barazhin me Maqedoninë

01 shtator 2020 | 11:13

Trajneri Bernard Challandes të hënën në konferencë për media e vazhdoi edhe për dy vjet të tjera kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës. Më pas strategu zviceran ka folur për dy ndeshjet e muajit shtator ndaj Moldavisë dhe Greqisë në Ligën e Kombeve.

Trajneri Bernard Challandes edhe zyrtarisht e ka vazhduar kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës, për t’u prirë “dardanëve” deri në vitin 2022. Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur se të gjithë janë të kënaqur me punën dhe rezultatet e trajnerit zviceran. “Jemi të kënaqur me punën dhe rezultatet e Challandesit, i cili me ekipin e vet ka krijuar një filozofi të re në ekipin tonë nacional dhe normalisht, përveç punës së tij, sigurisht ka bërë edhe planet edhe për ekipin zinxhir që bashkërisht në të ardhmen do të jetë një linjë ose një format i njëjtë i të gjitha kombëtareve tona me një filozofi të punës e cila na përshtatet”, ka deklaruar Ademi në konferencën për media, ku edhe u nënshkrua vazhdimi i kontratës në mes të FFK-së dhe trajnerit Challandes.

Strategu zviceran është shprehur i lumtur se do të vazhdojë të jetë trajner i Kosovës edhe në dy vjetët e ardhshëm. “Shpresoj të jem trajner më i mirë se sa biznesmen (qesh). Jam shumë i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me FFK-në. Gjëja më e rëndësishme për mua është futbolli dhe vazhdimi i bashkëpunimit me këta lojtarë. Ne duhet të kemi durim, jemi ekip i ri dhe duhet të ngrehemi ngadalë”, ka thënë Challandesi.

Kosova do t’i zhvillojë dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve në muajin shtator ndaj Moldavisë dhe Greqisë. Strategu zviceran e ka pranuar se nuk është aspak e lehtë që të krijohet një ekip ideal për këto ndeshje. “Kemi dy ndeshje, ku duhet të ndërtojmë ekipin së pari për takimin me Moldavinë e pastaj me Greqinë. Nuk është e lehtë ta kombinosh ekipin për këto ndeshje. Kemi lojtarë që nuk kanë luajtur shumë, lojtarë që kanë luajtur dhe disa që po transferohen në klube. Nuk mund t’i përdorim lojtarët që sapo kanë filluar përgatitjet në të dy ndeshjet, pra është e vështirë për të gjetur ekip ideal për ndeshjet e shtatorit”, ka shtuar Challandes, i cili i sheh dy ndeshjet e shtatorit si përgatitje për ndeshjen gjysmëfinale ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai ka thënë se Kosova ka bërë përparim në Ligën e Kombeve dhe se lojtarët duhet ta rinisin përparimin e tyre për ekipin përfaqësues. “Situata nuk është e lehtë dhe nuk është e tillë vetëm për ne. Kemi lojtarë të kampionateve të ndryshme për të cilët nuk do të jetë e lehtë. Duhet të adaptohen. Sa i përket Ligës së Kombeve nuk është e njëjtë si ajo para Evropianit. Qëllimi ynë është që të rritemi përmes Ligës së Kombeve dhe këto ndeshje do të jenë përgatitje për barazhin me Maqedoninë e Veriut. Ne kemi bërë progres në këtë ligë dhe unë do të kërkoj nga lojtarët që ta rrisim progresin edhe ndaj këtyre kombëtareve. Lojtarët duhet të japin më të mirën për kombëtaren”, ka deklaruar Challandes.

Rashkaj grumbullohet me ‘dardanët’, Rashica luan ndaj Moldavisë

Ylli i futbollit i Kosovës, Milot Rashica, është lejuar nga skuadra e Werder Bremenit që t’u ndihmojë “dardanëve” në ndeshjen hapëse në edicionin e ri të Ligës së Kombeve kundër Moldavisë, por jo edhe kundër Greqisë këtë muaj.

“Milot Rashica do të udhëtojë drejt Italisë këtë javë për t’u përballur me Moldavinë me ekipin e Kosovës. Ai nuk do të lejohet të luajë në ndeshjen e dytë në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Werderit. “Dardanëve” të hënën u është bashkuar mesfushori Anel Rashkaj, i cili paraprakisht ishte në listën rezervë të përzgjedhësit Bernard Challandes.

(V.Z / Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një djalë në Australi ka thyer rregullat e karantinës vetëm…