Ndihma Shtetërore: Obligimet e Kosovës sipas MSA-së, rëndësia dhe sfidat

06 tetor 2023 | 13:26

Obligimet e Kosovës në fushën e ndihmës shtetërore

Shkruan: Elton Tota

Në Kosovë, rregullat e ndihmës shtetërore janë relativisht pak të njohura, për një kohë të caktuar ato kanë qenë pothuajse jashtë vëmëndjes institucionale dhe të opinionit publik, dhe rrjedhimisht janë më pak të zhvilluara dhe të praktikuara edhe nga institucionet përkatëse.

Por, në rrugën e integrimit Evropian, për Kosovën ashtu si edhe për vendet e tjera të rajonit të cilat ndodhen në procesin e stabilizim – asocimit, progresi i kryer matet me nivelin e përmbushjes së obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) e nënshkruar me BE-në. Përveç sektorëve të tjerë, në MSA bëjnë pjesë edhe dispozitat që i referohen ndihmës shtetërore ku institucionet e Kosovës duhet të bëjnë progresin e nevojshëm.

Megjithatë, për Kosovën, obligimet e marra përsipër në fushën e ndihmës shtetërore datojnë para shumë vjetëve. Së pari, këto obligime i ka marrë përsipër ti përmbush me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA – 2006) dhe me Traktatin e Komunitetit të Energjisë (2006), ku Kosovës i është kërkuar që të themelojë organet rregullatore të ndihmës shtetërore dhe ta rregullojë ndihmën shtetërore në pajtim me rregullat e BE-se për ndihmën shtetërore. Dhe së dyti, të njëjtat obligime kontraktuale Kosova i ka marrë përsipër edhe me MSA-në (në vitin 2016).

Përmbushje e obligimeve të BE-së do të thotë harmonizim të legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian në sektorët përkatës. Si e tillë, për të kryer harmonizimin e legjislacionit vendor me rregullat e BE-se për ndihmën shtetërore, Kosovës i nevojitet një angazhim i madh dhe ndihmë profesionale në hartimin e legjislacionit. Përveç harmonizimit të ligjit për ndihmën shtetërore për ta sjellë atë në pajtueshmëri me legjislacionin e BE-së (acqui communautaire) është i nevojshëm edhe krijimi i legjislacionit sekondar, përkatësisht rregulloret dhe udhëzimet e nevojshme. Kurse, nga ana tjetër, vemëndje e posaçme duhet ti kushtohet edhe zbatueshmërisë së legjislacionit dhe konkretisht çështjeve që lidhen me njoftimin, vlerësimin dhe monitorimin e ndihmes shtetërore.

Rëndësia dhe sfidat e rregullave të ndihmës shtetërore

Rregullat e ndihmës shtetërore kanë një rëndësi të madhe sepse kur ndihma shtetërore iu jepet ndërmarrjeve në nevojë duke respektuar rregullat dhe kriteret përkatëse, ajo mundëson rritjen dhe ruajtjen e konkurencën ndërmjet ndërmarrjeve si dhe funksionimin e ekonomisë së tregut, mundëson një treg fleksibël në të cilin ndërmarrjet konkurojnë me cilësi, çmime dhe alternativa të produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë. Nga ana tjetër, nëse ndihma ofrohet ‘pa kontroll’ dhe jashtë vlerësimeve profesionale, ajo mund të sjell shtrembërimin e konkurencës dhe t’iu krijojë avantazhe tregtare ndërmarrjeve të caktuara.

Duke pasur parasysh edhe specifikat e fushës së ndihmës shtetërore, vëmëndje e madhe i duhet kushtuar së pari anës profesionale, pra burimeve njerëzore. Për më tepër, duke qenë se edhe në nivelin e BE-së rregullat e ndihmës shtetërore janë në ndryshim të vazhdueshëm (sidomos ndryshimet masive nën ndikimin e pandemisë Covid -19), stafi i ndihmës shtetërore duhet të jetë i mjaftueshëm, i mirëpërgatitur dhe i trajnuar për të kuptuar, interpretuar dhe zbatuar ashtu siç duhet rregullat e ndihmës shtetërore. Po ashtu, është po kaq e rëndësishme, që stafi të jetë në gjendje që të përcjellin ndryshimet e vazhdueshme që ndodhin në këtë fushë në nivel të BE-së.

Sipas legjislacionit të BE-së referuar ndihmës së shtetit, por edhe ligjit për ndihmën Shtetërore në Kosovë, në përgjithësi ndihma shtetërore është e ndaluar, por përjashtimisht mund t’ju ofrohet ndërmarrjeve në vështirësi financiare pasi kërkesa për ndihmë ti nënshtrohet një procesi të vlerësimit i cili mundëson dhënien e një ndihme të kontrolluar kur është e pajtueshme me rregullat përkatëse dhe jepet për qëllim të caktuar. Meqë ndihma shtetërore jepet përmes burimeve shtetërore në forma të ndryshme si: subvencione, kredi të buta, lehtësime tatimore, garanci të ndryshme, favorizime në tenderime publike, dhënia e kontrolluar e ndihmës nënkupton që ndihma jepet sipas një procesi profesional vlerësimi dhe vendimarrje nga institucionet përkatësë të ndihmës së shtetit. Në të kundërt, ndihma mund t’iu mundësojnë disa ndërmarrjeve përfitime të caktuara dhe rrjedhimisht epërsi ndaj ndërmarrjeve të tjera të cilat nuk e përfitojnë një ndihmë të tillë, duke sjellë kështu edhe shtrembërim të konkurencës në treg.

Zbatimi në mënyrën e duhur i rregullave të ndihmës shtetërore – ndër të tjera nënkupton që:

së pari, ndihma të jetë jodiskriminuese – ndihma duhet të vlerësohet dhe miratohet konform kritereve të caktuara për tu siguruar që ndihma që iu jepet ndërmarrjeve t’iu ofrohet në baza të njëjta si ndërmarrjeve shtetërore, ashtu edhe atyre private apo OJQ-ve, ndihma të jetë me të vërtetë e nevojshme dhe të vjen si një domosdoshmëri për t’iu përgjigjur një problemi ekonomik apo dështimi në treg të ndërmarrjes në fjalë, dhe;

së dyti, ndihmë të jetë proporcionale – të mos jepet ndihmë e tepërt, dhe të jetë e kufizuar në kohë, pra të jepet aq ndihmë sa nevojitet dhe për aq kohë sa është e nevojshme. Ky kontroll i dhënies së ndihmës duhet të jetë efektiv dhe të mos i tejkalojë këto parametra. Për dhënien e ndihmës shtetërore mekanizmi institucional i njoftimit, vlerësimit dhe miratimit si dhe monitorimit të ndihmës duhet të jetë funksional dhe i suksesshëm. Përndryshe, një ndihmë e tepërt, e pakontrollar apo e keqpërdorur mund të ketë ndikim në shtrembërimin e konkurencës duke favorizuar ndërmarrje të caktuara në treg, dhe në shkallë më të gjërë mund të ndikojë deri në monopolizimin e tregut apo deri edhe të japë efekte negative edhe në tregtinë e brendshme ose të jashtme me vendet e tjera.

Zhvillimi i këtij sektori është i rëndësishëm jo vetëm për plotësimin e njërit nga kriteret ekonomike të paraparë me MSA-në, por për më tepër, një vëmëndje e shtuar nga ana e institucioneve të Kosovës do të ndiihmonte jo vetëm ndërmarrjet që vërtetë kanë nevojë për ndihmë por do të ndikonte edhe në ruajtjen e konkurencës në treg.

(Ky publikim është mbështetur nga projekti me titull “KSV 019 Asistenca Teknike në kuadër të Integrimit Evropian” i zbatuar nga Zyra për Kritere Ekonomike dhe Treg të Brendshëm në Zyrën e Kryeministrit dhe financuar nga Qeveria e Luksemburgut. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorit, dhe nuk pasqyrojnë opinionin zyrtar të Qeverisë së Luksemburgut)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Zvicrës ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar…