Ndriçimi i virtyteve gjithëpërfshirëse të një vendi të lashtë

27 qershor 2022 | 16:04

Materialin e lëndës së përfshirë në kapitujt e librit, autori i ka përshkruar me dinjitet dhe në mënyrë koncize përmes trajtesave shtjelluese të demonstruara, konkretizuara dhe ilustruara me shumë fotografi e fotoportrete në teknikën kolor. Meqenëse librin ia ka kushtuar Egjiptit, ai me vizion të plotë thekson se Egjipti është një vend me traditë të lashtë, një vend që konsiderohet si djep i qytetërimit.

Gazetarit, publicistit, studiuesit, udhëpërshkruesit, gjuhëtarit të orientalistikës, pedagogut dhe veprimtarit të denjë dhe universal të çështjes kombëtare, Elez Osmani, nga Morina e Komunës së Gjakovës, i cili në maj të vitit 1999 emigroi në SHBA, në Nju Jork, ku edhe tani me familje jeton dhe punon, vitin e kaluar (2021), edicioni i Shtëpisë Botuese “Ditura Islame” e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës në Prishtinë, ia botoi librin me titull “Egjipti flet me gjuhën e shekujve – udhë përshkrim”, redaktor i të cilit është Ramadan Shkodra.

Autori Elez Osmani, në fillim të parathënies thekson se këtë libër ka filluar ta shkruaj në Egjipt gjatë viteve 1987-1988 kur studionte gjuhën arabe në Universitetin e Kajros, si bursist i komitetit të shkencës, kulturës dhe arsimit të Kosovës, e ka vazhduar gjatë kohës kur në Prishtinë punoi si pedagog dhe gazetar deri në vitin 1999 dhe e ka përfunduar në Nju Jork. Në vazhdim të parathënies autori thekson se kur rënë në kontakt për herë të parë me Egjiptin, e ka impresionuar, e ka bërë për vete dhe e ka shtyrë të mbajë shënime, pa menduar se ndonjëherë do të publikohen. Kjo ide lindi natyrshëm, thotë ai. Panorama e Egjiptit vetvetiu të shtyn që tërë aktivitetin mendor ta përqendrosh në ngacmimet që i shikon, e këtu befasitë janë të shumta objektet interesante e të larmishme. “Kujtoj se kur udhëtari mban shënime, udhëtimi është kënaqësi, por njëkohësisht edhe vlerësim për ato që shikohen”, shprehet ai.

Elez Osmani

Autori Osmani thekson se fjalorë të shumtë udhë përshkrimin e përkufizojnë si një lloj shkrimi letrar – shkencor, në të cilin personi shpreh përshtypjet nga udhëtimi i tij, ndërsa përshkruan me hollësi pamjen e pasazheve të përshkruara. Ai në vazhdim thekson se ata që shkruajnë këtë lloj zhanri letrar nuk janë vetëm udhëtarë të rëndomtë, por ka mes tyre shkencëtarë, ushtarakë marinarë apo misionarë, e kështu me radhë. Udhë përshkrimet kanë ekzistuar që nga kohërat antike. Ato janë shkruar gjithashtu nga historiani grek Herodoti, nga kinezët, arabët dhe shumë të tjerë. Pastaj datojnë që nga koha e Cezarit i cili konsiderohet personi i parë që fillon këtë stil letrar.

Udhë përshkrimet janë një formë e ruajtjes së gjurmëve të veprave të historive njerëzore, pohon autori Osmani dhe shton se këtë e thonë me dhjetëra njerëz të mëdhenj se shkrimet që vijnë si frymëzim nga udhëtimet dhe shndërrohen në arkiv, për t’i bërë të prekshme për këdo që do ta ndjente magjinë e udhëtimit.

Materialin e lëndës së përfshirë në kapitujt e librit, autori i ka përshkruar me dinjitet dhe në mënyrë koncize përmes trajtesave shtjelluese të demonstruara, konkretizuara dhe ilustruara me shumë fotografi e fotoportrete në teknikën kolor. Meqenëse librin ia ka kushtuar Egjiptit, ai me vizion të plotë thekson se Egjipti është një vend me traditë të lashtë, një vend që konsiderohet si djep i qytetërimit. Ai po ashtu është edhe djep i paqes i lumturisë dhe i sfidave, një vend ku gjithçka duket e mundur.

Në trajtesën shtjelluese “Misiri – nënë e botës” të kapitullit të parë Lashtësia e kulturës, autori Osmani shkruan se Republika Arabe e Egjiptit, apo siç e quajnë vendasit Masr – Misiri, që në arabisht do të thotë “vend, qendër urbane dhe kufitare” dhe mund të jetë me prejardhje të lashtë egjiptiane nga fjala mdr, me një gamë të gjerë kuptimesh duke përfshirë “kufirin e mbrojtur” dhe “të murosur”.

Egjipti është një ndër shtetet e pakta që shtrihet në dy kontinente, në Kontinentin e Afrikës dhe në Kontinentin e Azisë. Pozita e tij gjeografike është shumë e rëndësishme. Në Veri, Egjipti a Detin Mesdhe, në Lindje përkufizohet me Palestinën dhe Izraelit, dhe laget me ujërat e Detit të Kuq, në Jug ka fqinj Sudanin, kurse në Perëndim Libinë. Sipërfaqja e Egjiptit është një milion e pesëqind mijë kilometra katrorë, por tokë pjellore ka vetëm 55 mijë km katrorë, e cila shtrihet kryesisht rreth brigjeve të Nilit. Ky është vend me tri pejsazhe natyrore, madhësish të ndryshme. Në të dyja anët e brigjeve të Lumit Nil, gjendet rripi i ngushtë i tokës së punuar, ndërsa më tej shtrihet sipërfaqja e paskajshme shkretinore dhe trashëgimia historike, kulturore, antike, që përshkon fund e krye Egjiptin.

Autori Elez Osmani në vazhdim të prezantimit dhe përshkrimit të Egjiptit shkruan se në sipërfaqen e pëlleshme të tij jeton gati e tërë popullsia. Për këtë shkak lugina e Nilit, është toka me popullsi më të dendur në botë. Vet ekzistenca e popullsisë së Egjiptit është e lidhur ngushtë, është e pandarë nga Lumi Nil. Herodoti shkruante se Egjipti është dhuratë e Nilit dhe se po të mos ishte Nili, nuk do ishte as Egjipti.

Egjipti karakterizohet me një klimë të thatë dhe të nxehtë ngase ky vend gjendet në brezin subtropik. Reshjet atmosferike janë tejet të pakta, ndërsa në disa vise jugore dhe nëpër shkretëtira, shirat nuk bien me vite. Në Egjipt, pothuajse nuk ka dimër. Temperaturat janë të larta gjatë tërë vitit, thekson autori, dhe në vazhdim shton se popullsia e Egjiptit është mjaftë homogjene. Banorët e vërtetë nomad, që këtu ka disa mijë, jetojnë kryesisht në Gadishullin e Sinajit, por edhe këta pothuajse janë vendosur në vendbanime të përhershme. Në viset veriore të vendit, pasardhësit e egjiptianëve të vjetër janë shumë të përzier me elementin arab, ndërsa në Jug me atë zezak. Shtimi natyror i popullsisë është shumë i lartë. Këtu jetojnë edhe italianë, anglezë, gjermanë, francezë, turq, shqiptarë etj. Gjuha zyrtare në Egjipt është arabishtja, por nëpër qytete fliten edhe frëngjishtja e anglishtja. Popullsia 90% i përket fesë islame, kurse 10% janë të krishterë – koptë. Egjipti vazhdimisht ka pasur dhe ka rol të rëndësishëm si rrugë strategjike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Kjo ka bërë që në këtë vend gjithmonë të ketë trazira dhe luftëra.

Autori i librit, Elez Osmani, shkruan se Egjipti është njëri nga djepet e qytetërimit të shoqërisë njerëzore. Egjipti ishte me fat, ngase kurrë nuk u shkatërrua deri në themel nga tërmetet, apo erërat e ndryshme gjatë shekujve. Për historinë e lavdishme të këtij vendi dëshmojnë një numër i madh i piramidave, gurët e mëdhenj që paraqesin personalitetin e faraonëve, varrezat nëntokësore, me piktura të shkëlqyera me ngjyrë, reliefët e shumtë, sfingat dhe shtatoret, si dhe gjëra të ndryshme të jetës së përditshme, dhe në fund ajo që është më interesante, papiruset e shumta, në të cilat janë shkruar legjendat, mitet, por edhe tregimet e ngjarjet e ndryshme të jetës së rëndomtë.

Me shkrimin e vet, autori Osmani bën me dije se Egjipti është vend që ka pasur një qytetërim që është ndër më të hershmit. Këtu gjenden mbetje të trashëgimisë kulturore, me një lashtësi 8-9 mijë vitesh, siç janë qytetet e rrënuara, tempuj të ndryshëm, kanalizime e kështu me radhë. Më vonë gjurmët e tyre të pashlyera i lanë edhe kultura e vjetër egjiptiane, greke, romake dhe ajo arabe. Shumë studiues të njohur e kaluan jetën duke hulumtuar Egjiptin, për të cilin shkruan vepra me vlerë kapitale. Historia e gjatë dhe e pasur e Egjiptit e cila në detaje ende nuk është e njohur, ka kohë që është bërë pjesë përbërëse e gjurmimeve, studimeve dhe hulumtimeve shkencore.

Në trajtesën shtjelluese “Qyteti i Kajros” të kapitullit të dytë Metopola afrikane, autori Osmani shkruan se Kajroja “El-Kahiretu”, është kryeqyteti i Egjiptit. Zona e saj metropolitane, me një popullsi prej afro 20 milion banorësh, është më e madhja në Afrikë, kurse e gjashta ndër qytetet më të mëdha në botë. Kajroja konsiderohet si një qytet botëror sipas klasifikimit të ekspertëve. Kajroja është edhe qyteti më i madh në Egjipt. Me një popullsi prej mbi 9 milionë të shpërndarë në 3.085 km katrorë, ndërsa pjesa tjetër prej 9.5 milionë banorësh jetojnë në afërsi të qytetit. Emri zyrtar i qytetit është Al-Qāhirah, në dialektin lokal zakonisht quhet me emrin e vet shtetit misir që në dialektin lokal shqiptohet Misr. Qyteti i Kajros u themelua nga komandanti Fatimi Xhevher El Sikili, në emër të sunduesit të tij të atëhershëm Halifit El-Mu’izz, pas pushtimit Fatimit të Egjiptit në vitin 969 pas Epokës sonë.

Autori Osmani duke përshkruar Kajron, thekson se ai ndodhet në brigjet dhe ishujt e Nilit në Egjiptin Verior, pak në Jug të vendit, ku lumi lë luginën e tij të kufizuar. Në shkretëtirën perëndimore është pjesa e nekropolit antik të Memfisit, në pllajën e Gizës, me tri piramidat e saj të mëdha. Rreth 18 kilometra në Jug të Kajros, është qyteti i vjetër i Memfisit, që kufizohet me nekropolin Sakara. Këto qytete janë paraardhësit e lashtë të Kajros.

Kajroja moderne u themelua në vitin 969 pas Epokës së re nga Dinastia e Fatimitëve, por toka që përbën qytetin e sotëm, ishte vendi i kryeqytetit të lashtë egjiptian, gjurmët e të cilit mbetën të dukshme në pjesë të Kajros së vjetër.

Me shkrimin dhe botimin e këtij libri vërtetë me peshë dhe vlerë të lartë, autori Elez Osmani ka dhënë një kontribut të madh në shpalosjen, ndriçimin dhe reflektimin e vlerave gjithëpërfshirëse të virtyteve të një treve atraktive, të pasur dhe të begatë me sihariq dhe margaritar natyror.

Shkruan: Shaban Hasangjekaj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një aksident i rëndë ka ndodhur pak çaste më parë…