Në Gjilan përurohet murali ‘Forca e Gruas’

12 qershor 2023 | 15:34

Në Gjilan është përuruar të hënën murali madhështor ‘Forca e Gruas’, një projekt ky që promovon gjithë përfshirjen, përkatësisht është thirrje për një çështje që qëndron në thelb të shoqërisë, ndërgjegjësimin për familje të barabarta.

Projekti është mbështetur nga Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili njëherësh ka marrë pjesë në këtë përurim.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Zeqiri, në emër të kryetarit të komunës, ka falënderuar Mural Fest Kosova që ka realizuar në Gjilan një vepër si kjo, që promovon në rend të parë respekt dhe barazi.

“Ne jemi të hapur gjithmonë si komunë për të përkrahur projekte që përcjellin mesazhe të tilla për qytetarët tanë”, ka thënë Zeqiri.

Murali ‘Forca e Gruas’ shërben si një kujtesë e fuqishme e forcës, qëndrueshmërisë dhe dashurisë që nënat sjellin në familjet dhe komunitetin e tyre.

Visare Mujko-Nimani, shefe e zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Kosovë (UNFPA) ka theksuar se ky është murali i parë, që është përkrahur nga zyra e tyre, në kuadër të disa të tillëve që do të bëhen nëpër qytete të ndryshme të vendit.

Murali përmban një mesazh të qartë në promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin grave dhe politikave më miqësore për familjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori britanik në “London School of Economics”, James Ker-Lindsay, mbështetës…