Në gusht pritet të nisin fluturimet në korridorin ajror Kosovë-Shqipëri

06 gusht 2023 | 11:40

Marrëveshja për korridorin ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk është duke u zbatuar në tërësi. Ujdia ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte firmosur në vitin 2020.

Por, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë për KosovaPress se zbatimi i marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.

Në anën tjetër nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, nuk janë përgjigjur lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë kanë thënë se me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti.

Ministri Aliu ka dhënë më shumë detaje rreth korridorit ajror Kosovë-Shqipëri.

“Sa i përket korridoreve me Republikën e Shqipërisë, korridoret janë të përcaktuara, tash kanë dalë edhe në uebfaqe. Ende nuk janë, nuk i di këto shprehjet teknike që i kanë ekspertët ajror, por duhet që ato të konfirmohen si të tilla, në mënyrë që të bëhen të planifikueshme në fluturimet ndërkombëtare. Në shumicën e fluturimeve ndërkombëtare që bëhen nga Aeroporti i Prishtinës për në aeroporte të tjera e që është rruga më shkurtër nga ato pikat që janë më Republikën e Shqipërisë realizohen. Në kthim një pjesë e tyre realizohen, një pjesë e tyre nuk realizohen për shkak se shpesh janë të paplanifikuara”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu ka deklaruar se ka gatishmëri dhe vullnet edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe me autoritetet e Albcontrollit që të gjitha fluturimet të nisin të realizohen nga muaj gusht 2023.

“Mendoj se në muajin gusht është koha kur ato do të duhej të dilnin në uebfaqe. Ka ekzistuar një afat prej momentit kur është publikuar në uebfaqe dhe është afati kohor kur duhet të zbatohet dhe mendoj se do ta kemi shpejt. Përndryshe vullneti ekziston, edhe me ministren e Transportit në Republikën e Shqipërisë, Belinda Balluku, por edhe me autoritetet e Albcontrollit. Pra, gatishmërinë e kanë”, ka thënë Aliu.

Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress kanë theksuar se: “Letër marrëveshja për korridorin ajror në mes Shqipërisë dhe Kosovës është nënshkruar në vitin 2020 dhe nga viti 2021 ka filluar të zbatohet. Këto korridore kanë filluar të shfrytëzohen nga fundi i vitit 2021 në baza taktike. Me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti”.

Para katër muajsh, Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin ajror që mundëson lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Sllovakisë, Zuzana Caputova, u ka dhënë leje nëntë…