NË MINHEN PËRUROHET MONOGRAFIA “FSHATI I VRARË” I AUTORËVE QEMAJL KRASNIQI E AGRON LIMANI

08 mars 2018 | 16:32

Nën organizimin e shoqatës bavareze-kosovare, me seli në Minhen të Gjermanisë, u bë përurimi i monografisë “Fshati vrarë-dëshmi dhe fakte për masakrën serbe në Krushë të Vogël”, shkruar nga Agron Limani dhe Qemajl Krasniqi.

Ceremoninë e përurimit e drejtoi Mislim Berisha, aktivist i dalluar në diasporë, i cili përgëzoi autorët për këtë monografi me vlera historike dhe që në fakt përcjell mesazhe humaniste.

Ndërsa Agim Shehu, mërgimtar dhe banor i Krushës së Vogël e që jeton e punon në Minhen, shtoi se vlera e kësaj monografia është ndër kontributet më të vyera e që dëshmon për një periudhë të vështirë e tragjike të banorëve të këtij fshati. Deri më tani nuk është punuar mjaftueshëm për ndriçimin e kësaj masakre dhe fajtorët vazhdojnë të jetojnë të lirë e të  qetë. Plagët e krushjanëve ende kullojnë, shtoi Agim Shehu.

Pjesë nga monografia lexoi mërgimtari dhe aktivisti i dalluar në diasporë e Kosovë, Shefqet Gashi. Leximi i dëshmisë së njërës prej nënave të shumta që kanë humbur bijtë dhe bashkëshortët në këtë masakër, ngjalli emocione të fuqishme tek të pranishmit. Ndër të tjera Gashi tha se ky libër duhet të përkthehet edhe në gjuhë të huaja, në mënyrë që të dihet botërisht çfarë krimi i tmerrshëm ka ndodhur në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës.

Njëri nga autorët e librit, Qemajl Krasniqi, duke folur për vështirësitë dhe sfidat e përjetuara gjatë përgatitjes së kësaj monografie theksoi, – Në Krushë të Vogël u ekzekutuan 112 djem e burra nga mosha 12 deri 77 vjeçare, duke eliminuar rreth 70 për qind të meshkujve të fshatit. Një fëmijë e humbi jetën nga minat serbe të vëna në oborr të shtëpisë, duke e rritur numrin e të vrarëve. Mirëpo, deri më tani nuk është bërë mjaftueshëm për hetimin dhe ndriçimin e këtij krimi të tmerrshëm, ndonëse provat nuk kanë munguar. Ky libër është një kontribut i vyer për zbardhjen e të vërtetës për Krushën e Vogël, për hetimin dhe ndëshkimin e kryesve të krimit, si dhe kontribut për historiografinë e luftës në Kosovë.

Pritet që monografia “Fshati i vrarë” të përurohet së shpejti edhe në Austri (Linc e Vjenë) dhe në Zvicër (Bren, Cyrih, Gjenevë e Llozanë).

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka pritur të…