Në mungesë të kuorumit nuk u zgjodh kryesuesi i Kuvendit Komunal të Rahovecit

19 janar 14:36

Kuvendi Komunal (KK) i Rahovecit në mbledhjen e mbajtur të premten nuk ka zgjedhë kryesuesin e këtij kuvendi, për shkak të mungesës së kuorumit në raundin e dytë të votimit.

Në garë për pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Rahovecit kanë qenë, Sali Sallteku nga PDK-ja, Afrim Dina nga AAK-ja dhe Fehmi Cena nga LDK-ja. Pas votimit të fshehtë në raundin e parë, nga 10 vota kanë marrë Sali Sallteku dhe Afrim Dina, ndërsa Fehmi Cena ka marrë 7 vota. Edhe pse ishin të pranishëm në mbledhje, asamblistët nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votim.

Kur pritej votimi për raundin e dytë, ku në garë ishin dy kandidatët të cilët morën më shumë vota në raundin e parë, Sali Sallteku dhe Afrim Dina, në sallë nuk ishin të pranishëm asamblistët e PDK-së dhe LDK-së. Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i mbledhjes, Rexhep Oruqi, ka konfirmuar mbylljen e mbledhjes.

Sipas Ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe Udhëzimit administrativ Nr 2009/01 për procedurën e zgjedhjes dhe përgjegjësitë e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës bëhet më së largu 30 ditë pas konstituimit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit të komunës së Rahovecit, është bërë më 22 dhjetor 2017.
Kuvendi i Komunës së Rahovecit, ka 31 asamblistë dhe përbëhet nga tetë subjekte politike. PDK-ja ka 9 asamblistë, AAK-ja dhe LDK-ja me nga 7 asamblistë, Vetëvendosje katër asamblistë dhe AKR-ja Nisma për Kosovën, Iniciativa Qytetare për Drejtësi dhe Unitet dhe Lista Serbe kanë nga një asamblist.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara