Lluka: Procesi për zbardhjen e fatit të zhdukurve ka ngecur

19 janar 2018 | 14:28

Nën drejtimin e këshilltarit të kryeministrit, Jahja Lluka, i cili është emëruar edhe mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, është mbajtur takimi i përbashkët konsultativ me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e intensifikimit të angazhimit dhe koordinimit më të mirë ndërinstitucional për t’u përgjigjur në kërkesat e drejta të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur

Në fillim të takimit, mbajtësi i dosjes për çështjen personave të zhdukur, Jahja Lluka, duke theksuar rëndësinë dhe arsyen e këtij takimi ka thënë se procesi për zbardhjen e fatit të zhdukurve ka ngecur dhe rezultatet janë të jo të kënaqshme.

“Sot iu kemi thirrur në këtë takim konsultativ që të shqyrtojmë bashkërisht çka mund të bëjmë për të filluar një proces i cili ka ngecur kohën e fundit, edhe pse nuk mund të themi që nuk është bërë asgjë, meqë është punuar, megjithatë rezultatet nuk janë të kënaqshme në veçanti për familjarët”, është shprehur Lluka.

Të pranishmit, pasi kanë prezantuar punën dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve kompetente, kanë paraqitur edhe vlerësimet e tyre rreth adresimit të sfidave me të cilat përballet procesi, e që kryesisht ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme, çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuar dhe mundësitë për një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional për familjet e personave të zhdukur.

Duke e vlerësuar punën e deritanishme dhe duke falënderuar partnerët ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme, në fund të takimit, është kërkuar nga të gjithë të pranishmit që në një afat prej shtatë ditësh të dërgojnë propozimet me shkrim, bazuar në fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, për intensifikim të përpjekjeve dhe planifikimeve më të mira të përbashkëta për zgjidhjen e kësaj problematike.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka publikuar të premten…