Negociata për sigurimin e 25 milionë eurove për blerjen e vaksinave kundër Covidit

13 prill 2021 | 14:23

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes kornizë së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagim Emergjent ndaj Covid-19”, përmes të cilës do të sigurohen edhe 25 milionë euro për blerje të vaksinave dhe pajisjeve të tjera për menaxhimin e masës anti-Covid, krahas 35 milionë  të tjerave që tashmë janë të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga këto 60 milionë euro tashmë 35 milionë janë të negociuara dhe shtesë janë edhe 25 milionë të tjera.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në përpjekjet e saj për luftimin e efekteve negative të pandemisë në ekonominë e vendit, ka ndërmarrë një sërë masash që mbështesin sektorin e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe sektorin privat. Në vazhdën e këtyre masave sot paraqes para jush nismën për negocimin e marrëveshjes së amandamentimit numër 1 të marrëveshjes ekzistuese me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin emergjent ndaj Covid-19. I tërë projekti kap vlerën totale prej 60 milionë eurosh, pra kemi 35 milionë euro tashmë negocimin të nënshkruara, ratifikuara në Kuvend, dhe po bëhet fjalë për një shtesë prej 25 milionë eurosh të cilat sigurohen me këtë amandamentim. Kjo do të sigurojë blerjen e vaksinave sipas marrëveshjeve që negociohen nga MSH dhe përfshirë çfarëdo lloj pajisje mjekësore që ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë mes të tjerash. Edhe pse marrëveshja do të negociohet tek pas aprovimit të kësaj nisme dhe themelimit të ekipit negociator më lejoni të rikujtoj që kushtet e financimit të kësaj banke janë më të favorshme se kushtet e tregut dhe norma e interesit po ashtu mbetet e subvencionuar nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës deri në 1 milion euro”,  ka thënë Murati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), pas klinikave të…