Nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë

08 shkurt 2024 | 11:41

Ministri i Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka njoftuar të enjten se e kanë nënshkruar kontratën për zgjerimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën.

Aliu ka thënë se kjo rrugë është ndër projektet më të stërzgjatura që nga paslufta.

“Sapo nënshkruam kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që lidh Prishtinën me Mitrovicën, projekt ky që ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë, me probleme të shumta, mbase një ndër projektet më të stërzgjatura në historinë e pasluftës së Kosovës, por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij. Meqë arritëm ta nënshkruajmë kontratën, proces ky që ka filluar më 2 tetor kur është publikuar njoftimi për dorëzimin e ofertave e që është paraprirë me disa faza tjera si: angazhimi i kompanisë mbikëqyrëse e që në këtë rast e kemi të angazhuar kompaninë, procesi i përmbylljes, i shkëputjes së kontratës së vjetër që është paraprirë nga një proces i auditimit”, ka thënë në një konferencë për medie.

Më tutje, Aliu ka thënë se për këtë projekt janë ndarë 25 milionë euro, që janë marrë hua nga OPEC-u dhe në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim.

“Bëhet fjalë për një projekt 25 milionë euro që është huamarrje nga fondi i OPEC-ut dhe në bashkëfinancimin me Fondin Saudit për Zhvillim, projekt ky që ka procedura të tjera dhe i njëjti ka qenë me autoritetet dhe faza e deritanishme që jemi detyruar ta shkëpusim para një viti. Tash një viti është shkëputur kontrata që është paraparë nga një procedurë e auditimit, na zgjatën procedurat për një vit,  por presim që të kemi rezultate te mira”, ka thënë Aliu.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka treguar se sipas kontratës së re të nënshkruar për punën në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, projekti duhet të përfundojë në fillim të vitit tjetër.  “Do të kujdesemi për fazën e parë që punimet deri në Vushtrri të kryhen në pjesën e parë të vitit që në kohën kur të vijnë mërgimtarët pjesa e rrugës të jetë e përfunduar”, ka thënë Durmishi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bostoni është gjithnjë e më solitar në krye të renditjes…