Nënshkruhet marrëveshja për Sigurime Sociale dhe Mbrojtje Sociale në mbledhjen e dy qeverive shqiptare

26 nëntor 2021 | 14:12

Në mbledhjen e mbajtur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka nënshkruar dy marrëveshje me homologet nga Shqipëria, përkatësisht ministren Ibrahimaj dhe ministren Manastirliu.

Marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e mirëqenies sociale.

“Marrëveshje e nënshkruar në mes të ministrit Murati dhe ministres Ibrahimaj në fushën e Sigurimeve Shoqërore si objektiv kryesor ka sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale. Me fjalë të tjera, përmes kësaj marrëveshje qytetarët e të dy vendeve do të kenë mundësi që të pranojnë pensionet përkatëse që u takojnë sipas legjislacionit të vendeve të tyre, në vendin ku ata janë duke jetuar pas pensionimit, në Kosovë apo në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Më tej, në njoftim thuhet se “në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar në mes të Ministrit Murati dhe Ministres Manastirliu përkon me Fushën e Mbrojtjes Sociale dhe ka për qëllim bashkëpunimin në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre”.

“Përmes kësaj marrëveshje synohet përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit në mes të të dy palëve për të siguruar mbrojtën e fëmijëve pa kujdes prindëror, riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, si dhe lehtësira për realizimin e kontaktit të fëmijëve me prindër të shkurorëzuar.

Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Republikën e Shqipërisë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies shoqërore të qytetarëve në të dy vendet”, thekson komunikata.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë të premten se…