Nga muaji gusht nis pagesa e parkingjeve publike në Prishtinë, drejtori zbulon çmimoren e re

12 korrik 2020 | 17:43

Mungesa e madhe e parkingjeve në Prishtinë vazhdon të jetë problem për ngasësit e veturave. E, në përpjekje për zbutjen e këtij problemi, Komuna e Prishtinës ka funksionalizuar Ndërmarrjen Publike “Prishtina Parking”, e cila ka nisur edhe me zbatimin e rregullores për shfrytëzimin e parkingjeve në hapësirat publike.  

Tashmë është përcaktuar që qendra e kryeqytetit të jetë fillimisht pjesa ku pritet të nis zbatimi i rregullores.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Liridon Restelica në një intervistë për Front Online, ka thënë se aktualisht janë në fazën e përgatitjeve.

Sipas tij, në muajin gusht pritet të fillojë funksionalizimi i këtyre parkingjeve.

“Ne kemi thënë që prej korrikut do të fillojmë të përgatitemi për funksionalizim të ndërmarrjes dhe përgatitje për menaxhim të parkingjeve në mënyrë që të fillojmë së funksionuari. Në këtë muaj jemi në këtë fazë. Besoj që shumë shpejt, të funksionalizohet ndërmarrja”, ka thënë Restelica.

Këto janë çmimet e parkingjeve në Prishtinë në zonën Qendër

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, në një intervistë për Front Online ka thënë se parkingjet në Prishtinë do të ndahen në tri zona të cilat do të karakterizohen nga çmimet e ndryshme për parkingje.

Ai ka theksuar se fillimisht do të nis zbatimi për zonën e parë e cila përfshinë qendrën e kryeqytetit e që ka në total 5 mijë parkingje.

“Në bazë të vendimit të fundit të Kuvendit komunal janë tri zona. Aktualisht jemi të fokusuar në zonën një dhe dy. Sepse zona një përfshinë qendrën, dhe zona 2 lidhet bashkë me zonën 1. Në zonën një janë çmimet standarde, nuk janë çmime që i përcakton ndërmarrja, por çmime që janë aprovuar në Kuvendin Komunal, ne vetëm e zbatojmë vendimin e tyre”, ka pohuar Restelica.

Sipas tij, për shfrytëzimin e parkingjeve përparësi do të kenë banorët rezident për të cilët edhe çmimet do të jenë më të lira.

Për ta parkuar veturën në zonën një, për qytetarët jorezident 1 euro do të kushtojë qëndrimi për një orë, derisa për qytetarët rezident 10 euro do të jetë çmimi për një muaj dhe 100 euro pagesa vjetore.

“Për banorë rezistencë çmimi është 10 euro për një muaj dhe 100 euro do të jetë pagesa vjetore. Për banorë jorezident çmimi është 1 euro për një orë dhe variojnë prej orës 07:00 mëngjes deri në orën 19:00 në mbrëmje”, ka thënë më tutje ai.

Të drejtë shfrytëzimi po ashtu do të kenë edhe punëtorët që punojnë në atë zonë të qytetit, për të cilët Restelica thotë se do të merren parasysh në momentin kur e verifikojnë se janë punëtorë të një institucioni apo biznesi.

“Ndërsa për punëtorët të cilët punojnë në zonën e parë, të cilët e dokumentojnë se janë punëtorë të ndonjë institucioni apo ndonjë biznesi ata do ta kenë pagesën 30 euro në muaj apo 300 euro tarifa vjetore. Ndërsa për personat juridik ose bizneset çmimorja është 45 euro për muaj”, ka pohuar Restelica për Front Online.

 Ky do të jetë çmimi për parkingun te “Pallati i Rinisë”

Në parkingun e zonës një që ndodhet prapa “Pallatit të Rinisë” e që zotëron një hapësirë të madhe, çmimi për tri orët e para do të 0.30 cent. Në momentin kur kjo kohë tejkalohet, do të aprovohet tarifa prej 1.50 cent.

 Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica ka thënë se në zonën 1- qendër do të ketë dy parkingje me laura.

“Parkingu prapa “Pallatit të Rinisë” edhe pse ndodhet në zonën qendër, është 0.30 cent ora. Aty 3 orë janë ka 0.30 cent. Në momentin që kalon 3 orë parking hynë në tarifën ditore 1.50 cent. Por, ky çmim vlen vetëm për tarifa ditore. Për tarifa mujore duhet të referohen rregulloret”, ka bërë të ditur Restelica.

Ai tha se çmimi mujor në këtë zonë për persona fizik do të jetë 30 euro, derisa 45 euro do të jetë tarifa për persona juridik.

“Ka shumë qytetarë që kanë marrë edhe kartela mujore. Çmimi mujor te parkingu prapa “Pallatit të Rinisë” është 30 euro në muaj për persona fizik. Ndërsa për persona juridik është 45 euro”, tha më tutje Restelica për Front Online.

Këto janë çmimet e parkingjeve që do të aplikohen për zonën dy dhe tre të kryeqytetit

Pasi të funksionalizohet zona 1 e parkingjeve në Prishtinës, shumë shpejt pritet të fillohet edhe me dy zonat e tjera.

Ka thënë kështu për Front Online, Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica.

Sipas tij, në zonën dy, për banorët jorezident të asaj pjese një orë do të kushtojë 0.50 cent, derisa 7 euro do të jetë tarifa mujore që do të aplikohet për banorët rezident.

“Në zonën 2 është 0.50 cent 1 orë për banorë jorezident, ndërsa 7 euro në muaj do të paguajnë qytetarët rezident dhe 70 euro pagesa vjetore”, tha Restelica.

Ai madje tha se 3 orë do të jetë maksimumi që duhet të qëndroj një veturë në atë zonë pas asaj kohe, pronari i veturës është i detyruar ta ndryshojë pozitën e veturës.

“Për zonën 3 është 0.30 cent ora. Për zonën 3, për banorët rezident 5 euro është çmimi mujor, ose 50 euro çmimi vjetor”, ka thënë më tutje Restelica.

Si do të bëhet verifikimi i veturave në parkingjet publike?

Identifikimi i veturave të banorëve rezident të Prishtinës për qëndrim në parkingjet publike të Komunës së Prishtinës, do të bëhet me shenjëzimin e atyre hapësirave.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica ka shpjeguar edhe për mënyrën se si do bëhet verifikimi i veturave në parkingjeve publike.

“Për ato parkingje të banorëve rezident, ne do t’i shenjëzojmë me një ngjyrë tjetër, dhe do të vendosim edhe tabela vertikale, ku do t’i njoftojmë edhe personat tjerë që ato parkingje janë vetëm për banorët rezident. Momentin që një banorë jo rezident parkohet në ato hapësira atëherë do t’u bllokohet makina, dhe do t’u konfiskohet”, ka sqaruar Restelica më tutje.

Në anën tjetër, ai tregoi se ka filluar edhe marrja e kartelave për banorët që do ta shfrytëzojnë parkingjet në hapësirat publike, e që fillimisht ka nisur marrja e tyre për parkingun prapa “Pallatit të Rinisë”.

“Kartelat aktualisht i kemi lëshuar vetëm për parkingun prapë “Pallatit të Rinisë”, ndërsa jemi duke punuar në dizajnimin e versionit që do të jetë me kod për banorët rezident dhe jorezident. Ata do t’i marrin ato dhe i vendosin para makinës, që kontrollori jonë do t’i skanojë, dhe në bazë të saj ai do të verifikojë se a është i paguar apo jo”, tha ai për Front Online.

 Kjo është mënyra e pagesës për parkingjet publike në Prishtinë

Pagesa në parkingjet publike në Prishtinë, që pritet të fillojë së shpejti, do të bëhet përmes katër versioneve.

Kështu ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica.

“Do të ketë katër versione të pagesës së parkingjeve. Ka mundësi me ble tiketën fizike, me paguar me “sms”, me instaluar aplikacionin në telefonin ku futen të dhënat e veturës përmes kartelës bankare”, ka treguar Restelica.

Ndërsa qytetarët vizitorë që hyjnë në qytetin e Prishtinës për ta parkuar veturën e tyre, pagesën mund ta kryejnë me kartelën e bankës përmes ueb-faqes.

Pagesa e parkingjeve në zonën “Qendër” do të fillojë me “sms”

 Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica ka thënë se pagesa në parkingjet publike fillimisht do të bëhet përmes “sms”.

Ai ka theksuar se implementimi i këtyre pagesave do të nis fillimisht me tri rrugët më të frekuentuara të Prishtinës, e që sipas Restelicës i përkasin zonës 1- Qendër.

“Besoj që deri në fillim të muajit vetëm kemi me filluar ta implementojmë pagesën me “sms”. I kemi përzgjedh tri rrugë ku do të startojmë. Rruga të “Kafet e Vogla”, pjesa te “Katedralja” në hyrje të lagjes “Pejton”, si dhe një pjesë te zona Qendër”, tha ai duke shtuar se zona një është prioritet i kësaj ndërmarrje për të filluar implementimin e rregullores për parkingje publike.

Restelica thotë se zvarritja e punës ka ndodhur për shkak të përhapjes së pandemisë në Kosovë.

“Ne kemi pasur me 1 mars me startuar, mirëpo ne u detyruam ta zvarrisim këtë punë për shkak të situatës me coronavirus. Ne po shpresojmë që data 1 gusht, do të jetë data kur do të startojmë me SMS e parë. Gjithçka varet nga sinkronizimi i soëtver të Valës dhe Ipkos, deri të rregullohet pjesa teknike, që kur te dërgon “sms” me pasë mundësi me funksionuar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamiltoni, kampioni në fuqi i Formulës 1, ka dominuar…