Nipi i Xhafer Devës: Gjykata e Berlinit e hodhi poshtë padinë time ndaj Rohdes

05 korrik 2023 | 09:04

Valdet Deva, nipi i Xhafes Devës, ka bërë të ditur se dje e ka pranuar vendimin e Gjykatë së Berlinit rreth padisë ndaj ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, për deklaratat e tij ndaj figurës së të ndjerit Deva.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se padia është hedhur poshtë pasi pala paditëse nuk e ka përmbushur kushtin për tentim pajtimi/marrëveshjeje midis palëve.

“Unë me rastin e paraqitjes së dëshmive pranë kësaj gjykate, kam parashtruar dëshmitë me shkrim, ndër të tjera të gjitha letrat e dërguara në adresën e ambasadorit Rohde, ku i kërkoj takim dhe i jap mundësinë për paraqitjen e provave ose kërkim falje për deklaratën e tij. Duket se kjo nuk paska mjaftuar për Gjykatën e Berlinit”.

“Në anën tjetër, mbas paraqitjes se provave në lidhje me këtë padi pranë gjykatës, asnjëherë nuk mu prezentua përgjegja nga pala tjetër, gjë që është e domosdoshme dhe normale në procedurën ligjore në rast padije private. Siç thotë fjala e popullit ‘I forti ban gjithçka’”, ka thënë Valdet Deva.

Deva ka shtuar se do të vazhdojë punën e tij “në ndriçimin e figurës së Xhafer Devës, si dhe kthimin e pronave të familjes Deva që u konfiskuan nga pushtuesi serbosllav dhe argatët e tyre shqipfolës”.

Rohde, që kishte reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, thotë se nuk kanë problem me restaurimin e shtëpive historike, por me figurën e Xhafer Devës për të cilin thotë me bindje se ka qenë kolaboracionist nazist që ishte pjesë e divizionit famëkeq “Skanderbeg”.

“Ky është një vlerësim i gabueshëm. Ne nuk kemi asgjë kundër renovimit të shtëpive historike. Në Gjermani…Ne kemi kundërshtuar, kur është thënë shtëpia e Xhafer Devës. Duhet të njihet figura e Xhafer Devës. Ai ka qenë një kolaboracionist dhe protagonist i Divizionit-SS “Skanderbeg”. Natyrisht kjo mund të ndahet dhe thuhet po e renovojmë këtë shtëpi në Mitrovicë të Xhafer Devës. Mund madje të thuhet se Xhafer Deva ka banuar aty, apo se prindërit e tij kanë banuar në të. Në Gjermani renovohen mijëra shtëpi, të cilat kanë një të kaluar të errët. Por…”.

“Problemi qëndron në atë se nëse në Gjermani do të thuhej do të renovohet shtëpia e Adolf Hitlerit… Shkëlqyeshëm. Pa pasur vlerësim për personin dhe pikërisht personi duhet të vlerësohet. Duhet të thuhet, shtëpia do të renovohet, por Xhafer Deva ka qenë një personalitet tejet kontrovers”, deklaroi ai në një intervistë ekskluzive për Klan Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
41-vjeçari shqiptar që i hodhi acid në fytyrë avokates italiane…