Nis rregullimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërqan

02 dhjetor 2019 | 13:40

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për realizimin e projektit “Rregullimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërqan” të Gjilanit, projekt ky i cili financohet nga kjo ministri dhe kap vlerën totale prej 550 mijë euro.

Me këtë rast, Matoshi është shprehur i lumtur që po investohet në këtë fshat që sipas tij është shembull i aktivizimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit.

“Besoj dhe shpresoj që projekti do të realizohet ashtu siç është e paraparë dhe projektuar me një mbikëqyrje në radhë të parë të vetë banorëve, të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidromorava’, nga komuna e Gjilanit si dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, është shprehur Matoshi.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, e ka falënderuar Matoshin që gjatë mandatit të tij si ministër ka pasur fokus edhe këtë komunë përmes projekteve mjedisore.

MMPH-ja vetëm ketë vit në Gjilan ka përkrahur projekte mjedisore, që kapin vlerën buxhetore mbi 2 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën…