Një libër elitar del nga shtypi

20 maj 13:56

Libri i poetes me prejardhje nga Tropoja, e martuar në Shkodër, Elida Rustës, me titull “Engjëjt nuk mbahen për dore”, ka dalë nga shtypi nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”.

Në këtë libër janë përmbledhur rreth njëqind poezi të cilat autorja i ka shkruar në dhjetë vjetët e fundit. Tematikë e këtij libri është, fund e krye, dashuria. Librit i prin recensioni “Telegram për ‘Engjëjt nuk mbahen për dore’” të redaktorit Fadil Kraja, i cili ka shkruar: “Kam në dorë librin e dytë me poezi të Elida Rustës. E lexova dhe e rilexova, duke ravijëzuar në mendje dhe zemër madhështinë, forcën ringjallëse në këtë botë kaq të trazuar, në këtë jetë që ngjason me një melodi e cila fillon me ninullën dhe mbaron me liturgjinë; që ngjason me një vrapim të çmendur ku starti është djepi dhe finishi, arkivoli dhe tabuti.

Ndërsa në librin e parë të Elidës, Ajkuna mitike qan hallet e kësaj jete, në librin e dytë autorja gjen eliksirin e jetës, balsamin shërues të saj – ‘zemzemin’, ujin e bekuar kuranor që fashit çdo dhimbje, çdo dyshim, çdo ankth dhe përpëlitje; gjen dashurinë dhe i përkushtohet tërësisht asaj. Dashuria ngrihet në piedestal, bëhet kult të cilit duhet t’i falemi të gjithë, sepse pa dashuri nuk ka jetë, sepse dashuria bën pluhur e hi ‘paçavrat që zunë myk ndër shekuj’, – siç thotë Migjeni. Paçavure autorja quan pabesitë e paburrëritë që e çuan në murosje edhe Rozafën legjendare.

Edhe titulli i librit është intrigues. Të duket se një titull i tillë paralajmëron pakënaqësi për jetën, zhgënjim, lutje, kohë e shkuar dëm por, jo. Kur futesh thellë në vargje krijon përshtypje tjetër. Bindesh në triumfin e dashurisë në çdo aspekt, moral dhe shoqëror. Aq e vërtetë të bëhet kjo bindje sa i jep të drejtë poetes kur, aty kah mesi i librit, nuk sheh më tituj të poezive. Ata sikur nuk kanë nevojë për etiketim, janë copëza të dashurisë, copëza të shpirtit që kurrë nuk kënaqet dhe gjithnjë kërkon. Copëzat e tyre ngjasojnë me një pasqyrë të thyer që, sado e vogël të jetë, përsëri në të sheh vetveten. Poetes s’mund t’i fshehësh asgjë. Si copëza pasqyre janë edhe poezitë pa titull, ndërsa titulli është dashuria me të gjitha ngërçet dhe shkapërderdhjet e saj. Elida është aty me shpirtin vullkan. Poezitë e saj janë shpërthime të llavës së këtij vullkani. Kjo llavë, megjithëse është djegëse, flakëruese, sërish ka pastërtinë dhe çikninë.

Lodhesh kot të gjesh tek Elida një grimcë pornografie apo seksologjie që, mjerisht, po përhapet kaq shumë te poetë, e sidomos te poetesha. Të mahnitë kjo shkodrane nga Tropoja që i ka bërë të vetat çiltërsinë dhe mirësinë e shkodranes, guximin dhe, nganjëherë, ashpërsinë e tropojanes duke formuar kështu bindjen se në vargjet e saj autorja është më shkodrane se shkodrani dhe më tropojane se tropojani.

Me një gegërishte të ëmbël Elida e bën dashurinë kult, tempull. Ta jep edhe ‘fletëhyrjen’ për ta vizituar këtë tempull; t’i jep, si të thuash, syzet për ta parë më mirë atë që të tjerët nuk e shohin. E kam thënë edhe diku tjetër për poeteshën Elidë, ajo s’të jep gështenja të qëruara. Duhet t’i qërosh vetë që nga mbulesa e parë me gjemba deri te cipa e hollë që mbështjell thelbin, ndaj e thashë që në fillim të këtij shkrimi, se e lexova dhe e rilexova librin e saj të dytë.

Dëshiroj ta mbyll këtë parathënie me një shprehje të njohur popullore: ‘E thashë e lirova shpirtin’. Kështu bën edhe poetesha shkodrane prej Tropoje, ish-studentja ime.

VLERËSIME PËR POEZINË E ELIDES

Bukuri, spontanitet, nxehtësi dhe urtësi kanë vargjet tua!
Sadik Bejko

E thellë si vetë mendimi, drithëruese si vetë ndjenja, grishëse si vetë poezia, bukurane si ai shpirt prej ajri që noton me ty.
Albert Vataj

Safo shqiptare je, Elidë.
Ilir Kadia

Shazoten je sojnike e kur e ven shpirtin tand për filli, je qet mentë e kresë ksaj bote… T’paça bijo e ta lumsha… Kur don ti, ban dritë sa Fierza!
Jozef Radi

Bukur shumë, oj bijë e gjarprit dhe e diellit!
Nikolla Llambro

Ti i këndon dashnisë ma bukur se zogjtë.
Mimoza Gruda

E mrekullueshme. Kaq e pastër, kaq e sinqertë, kaq shqiptare dhe kaq tradicionale. Ti je shembulli që ne jemi popull me ndjesi të holla.
Sami Milloshi

Një zë krejt ndryshe në qytet-shtetin ku, pothuaj, ka vdekur arti i madh që krijohej dikur aty.
Isa Ponari

Vargje që befasojnë me forcën e imazhit dhe përthyerjet e befasishme. Racionalitet dhe shumë peshë. Ti zotëron një arsenal të tërë figurash origjinale.
Agim Bajrami

Shtëpia juaj poetike ka një arkitekturë marramendëse.
Violeta Hysi

I paske mbytë me dashni këto poezi!
Bislim Ahmetaj

Ndjeshmëri e lartë dhe e pandalshme.
Zija Vukaj

Vetëtimë poetike! Nga ato që të mbesin gjatë në mendje!
Astrit Fani

Jam i gëzuar, fqinja ime e hijshme, që ke mbërritur këtë forcë dhe bukuri shkrimi! S’kam dyshuar kurrë në talentin tënd por, prej atëherë, rruga ka qenë e gjatë, e vështirë. Ec!
Arbër Ahmetaj

Poezitë tua ta heqin armën nga dora sa herë që ti ngre dorë. Dhe ja ku je, në majën më të lartë të pozitivitetit.
Xhevat Latifi

Sa mirë e ke shkrue, he t’qorroftë andrra!
Ernest Marku

Shpirti yt fluturon në kohë të pakoha sikur të ketë jetuar 100 jetë dashuri unike. Komplimente, Elidë!
Irena Gjoni

Elida nis ajkunshëm e sos halilshëm, tue shkri eposin. Lumta dora, moj! Vetërobërimi i një shpirti të lirë është blatim për tjetrin. Ah, shkrova kot. Arti i kulluar s’i duron shpjegimet.
Adem Gashi

Je emblemë e poezisë së Shkodrës!
Mehdi Krasniqi

Poezia e Elidës është elitare. Është si puna e gështenjës që, për t’ia nxjerrë frytin, duhen gjakosur duart.
Fadil Kraja

Poezia e Rustes është si një varkë prej fjalësh, idesh, mendimesh, metaforash e gjuhe të zgjedhur me kujdes.
Preng Maca

Për çfarë ka në libër dua të besoj se nuk ka me të ardhë kurrë turp e marre që e ke botu.
Rexhep Shahu

 POEZI NGA LIBRI “ENGJËJT NUK MBAHEN PËR DORE”

 NJI PUTHJE, ZOTNI

Lypsja e qytetit,
kcen në mes të sheshit,
askush nuk e sheh,
në cakun e vet.
Ma fal nji puthje zotni!
M’ká mungue prej se isha fmi.
Zotnia e sheh me përçmim,
ik në punë t’vet tuj vu dorën n’buzë,
thue lypsja ia kafshoi dhe e la pa to.

Mjera unë!
Çka ka me ndodhë nëse nuk duhena?!
Nji puthje më duhet,
me mbajtë shpirtin gjallë.
Më fal nji puthje zotni!
Nji puthje me aromë shpirti.

 GRUEJA E FORTË

Dy herë sot rá ortek.
Nji prej mallit se u ndava me vlla,
tjetri prej “gjamës” që lshova për çikë.
Tri herë pashë nált,
nji herë n’qiell,
nji herë n’mal,
nji andej kah erdh’ záni i tyne.
Aeroportet nuk shihen prej mjegullave e lotëve.
Tubza yjesh shtina n’gjynah.
Arlindë shpirt!
M’le symbyllë në pritje malli!
Kam me i hapë kur të vish.
Të puthi!
Aty ku nuk t’ka puth kush deri më sot,
në thellësi të shpirtit.
Le t’bien ortiqe!
Náná ásht ajo grueja e fortë,
të pret në limanin e shpresës,
përtypë shkámb çdo ditë që mungon.
Shko e kthehu e bukur,
t’u flas ernave e deteve për ty.

 I JEMI

Ndërtuem me grimca zemre e drite nji monument,
nuk mujtëm me e ndërtue kur ishim fëmijë.
E pabesueshme që ishe i jemi!
Çdo puthje që s’má dhe atëherë,
kangë dashnie e kam bá.
A jam e lumtun?
Pyetje e mirë.
Po përgjigje s’kam.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara