Njësia e Pylltarisë në Gjilan pranon 450 kërkesa për prerje legale të druve në pronësi private

29 gusht 2023 | 11:40

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, në kuadër të planeve vjetore operacionale të menaxhimit me pyje sipas standardeve të punës, ka paraparë edhe aksione të përbashkëta me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për parandalimin e prerjes ilegale të pyjeve.

Falë bashkëpunimit të mirë me komandantin e Stacionit Policor në Gjilan, majorin Agim Lipovica dhe drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bajram Isufi, përkatësisht Sektorit të Pylltarisë në Gjilan, është ndërmarrë aksioni për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

Pasi gradualisht po afrohet stina e dimrit, shumë persona recidivistë, prerës ilegalë në mënyrë të pandërgjegjshme me qëllim të përfitimit individual angazhohen në prerje ilegale të pyjeve shtetërore dhe private.

Për këtë arsye, Drejtoria e Bujqësisë – Sektori i Pylltarisë ka filluar aksionin me asistencën e policisë së Kosovës për kapjen e prerësve ilegalë.

Në këtë aksion janë ndaluar mbi 120 kamioneta e traktorë të cilat kanë qenë të pajisura me dokumentacionin të rregullt për prerje legale dhe të kontrolluar.

Gjatë aksionit, policia dhe pylltarët kanë hasur edhe në prerës ilegalë me ç’rast janë konfiskuar një masë e konsiderueshme e masës drusore si dhe do të bëhen edhe fletëparaqitje për kundërvajtje dhe vepra penale.

Njësia e Pylltarisë këtë vit ka pranuar mbi 450 kërkesa për prerje legale të druve në pronësi private, si rezultat i ngritjes së vetëdijes tek qytetarët se vetëm me leje adekuate dhe të kontrolluar mund të pajisen me masën drusore.

Gjatë kontrolleve rutine ekipet në teren kanë hasur edhe kamionetë dhe automjete të tipit ‘pikap’ të ndryshme të pa regjistruara ku janë marrë masat ndëshkimore, deri te konfiskimi i automjeteve.

Gjatë aksionit janë kontrolluar edhe pikat legale të shitjes së masës drusore ku është verifikuar edhe dokumentacioni përcjellës, drutë e damkosura dhe ato të pa damkosura.

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, në koordinim me Policinë e Kosovës kanë rënë dakord për ndërmarrjen e aksioneve më të shpeshta për parandalimin e prerjeve ilegale.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arianit Islami është emëruar zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm të…