Nocioni “paramilitar” si instrument i mohimit të gjenocidit

19 maj 2019 | 11:13

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Shkrim drejtuar gazetarëve dhe atyre që merren me politikë

Që në fillim të këtij shkrimi po tërheq vëmendjen në faktin se në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin. Në kontekst të fshehjes së krimit të gjenocidit nocioni “negacionizëm” nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës. Kur gjenocidi është kryer, atëherë kur e vërteta del në shesh, negacionizmisynon të shkatërrojë bindjen lidhur me krimin dhe të futë dyshime për vërtetësinë e krimit. Thënë shkurt, negacionizmi është organizim i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe ishte preokupim kryesor i shtetit serb. Meqenëse vrasja e civilëve shqiptarë në Kosovë ishte një fakt që askush nuk mund ta mohonte, pushteti i Beogradit aplikoi strategjinë e mohimit  të implikimit të ushtrisë dhe policisë serbe në vrasjen e civilëve të paarmatosur.

Duke qenë të vetëdijshëm se nocioni “grup paramilitar”, si strukturë jashtë forcave të armatosur të një shteti, është shndërruar në instrument të manipulimit me opinionin publik në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara, propaganda serbe e futi në përdorim këtë nocion. Për vrasjen e civilëve në Kosovë para ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, pushteti i Beogradit akuzonte “terroristët e UÇK-së dhe grupet paramilitare që kishin qenë jashtë kontrollit shtetëror serb”. Pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për të ndërprerë gjenocidin serb në Kosovë, propaganda serbe bënte përgjegjëse për vrasjen e civilëve “NATO-n, terroristët e UÇK-së dhe grupet paramilitare që kishin qenë jashtë kontrollit shtetëror serb”.

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te “grupet paramilitare” është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.Si rezultat i propagandës së vazhdueshme të Beogradit për t’ua veshur krimin strukturave që gjoja nuk kanë qenë në kontrollin e shtetit serb, këtë mendim e kanë përqafuar si të vërtetë një numër i konsiderueshëm politikanësh në shtetet perëndimore (komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë e neofashistë) si dhe historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë.

Fatkeqësisht edhe në diskursin tonë politik dhe mediatik nocioni “grupe paramilitare” ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit.

Të gjitha faktet nga burimet serbe, të cilat janë trajtuar më gjerësisht në librin tim “Mashtrimi i Madh”, dëshmojnë se me vendim të Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Serbisë janë liruar nga burgu  një numër i madh kriminelësh. Kriminelët e liruar nga burgjet u transferuan në qendra ushtarake për trajnim dhe për përgatitjen e tyre u ngarkuan nënkolonelët serbë Slobodan Stoishiqi dhe Miodrag Gjorgjeviqi.

Këta nënkolonel të Armatës së Jugosllavisë i pajisi kriminelët me uniforma, me armë të mira, me mjete kimike dhe me mjete të tjera të nevojshme për likuidime. Krahas mjeteve për vrasje, kriminelët u pajisën me dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Sllobodan Stoishiqit dhe Miodrag Gjorgjeviqit. Pas trajnimit të tyre, në muajin korrik të vitit 1998 ata u dërguan në Kosovë.

Për ilustrim do të përmend rastin e grupit të quajtur “Garda Vullnetare Serbe” (Srpska dobrovoljačka garda), i njohur me emrin “Tigrat”, që ka reputacionin ndërkombëtar për shkak të kryerjes së një numri të madh të krimeve në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.

Sipas dëshmive të publikuara në librin “Në folenë e tigrit” të ish komandantit të Njësive për Operacione Speciale serbe, të njohur si “Beretat e Kuqe”, Milorad Ulemek-Legija, i dënuar me 40 vjet burgim për implikimin në vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq, “nuk është e vërtetë se gardën e krijuan kriminelët. Ajo u themelua nga patriotë serbë, të cilët nuk e kursyen vetën që të dalin në mbrojtje të popullit serb. Edhe sot, bëhet padrejtësi ndaj Gardës, duke e quajtur një formacion paraushtarak. Kjo nuk është e vërtetë. Që nga paraqitja e parë në Vukovar, Garda u vu nën komandën e APJ-së, dhe më vonë nën komandën e Ushtrisë së Krainës Serbe”.

Ndërsa kur është në pyetje pjesëmarrja e tyre në krimet në Kosovë po përmend faktin se gjatë procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, me 13 shkurt 2003, Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave deklaroi se “Tigrat” e Arkanit ishin në kontrollin e drejtpërdrejtë të kolonelit të policisë speciale serbe Goran Radosavljeviq- Gurit.

Gjenocidin në Kosovë e kreu Serbia përmes forcave të saja të armatosura me një zinxhir të qartë komandues nga institucionet politike, ushtarake dhe policore të shtetit serb.

Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, i Tadiqit apo i Vuçiqit aplikon strategjinë e negacionizmitpër krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu është e kuptueshme përpjekja e tyre për të zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet paramilitare të pakontrolluara nga shteti serb”. Por, nuk është e drejtë që politikanë dhe gazetarë shqiptarë, në mënyrë të pavetëdijshme për pasojat që ka përdorimi i këtij termi, të përdorin nocionin “paramilitar”.  

Për të hequr përdorimin e gabueshëm dhe shumë të dëmshëm të këtij nocioni, një rol të madh mund të luajnë gazetarët, sepse gazetarët kanë pushtet të fuqishëm në krijimin e opinionit se kushdo qoftë  që përdor nocionin “grup paramilitar”, me vetëdije apo pa vetëdije, bëhet pjesë e shfajësimit të Serbisë për krimin e gjenocidit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bodibilderi Besard Maxharraj në kategorinë deri në 100 kg -…