Nuk ka informacione që ndonjë shqiptar mund të ketë pësuar nga tërmeti në Turqi

06 shkurt 2023 | 11:23

Ekrem Kryeziu, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Turqi, ka folur rreth situatës pas tërmetit që e goditi Turqinë sot në orët e hershme të mëngjesit.

“Sot, Turqia u zgjua me një lajm të kobshëm – me një tërmet i cili ndodhi rreth orës 04:00 në mëngjes. Ne ndodhemi në Stamboll dhe tërmeti ka ndodhur në Turqinë juglindore, larg nga këtu megjithatë mobilizimi i shtetit ndjehet edhe këtu”, ka thënë ai në një lidhje direkte në “Klan Kosova”.

Ai gjithashtu ka theksuar se ka një numër shumë të madh të personave që ende ndodhen nën rrënoja dhe sipas tij, numri i të vdekurve do të rritet edhe më shumë.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka informata që ndonjë shqiptari mund të ketë pësuar nga kjo fatkeqësi.

“Në bazë të informatave që i kam, nuk ka konfirmim të ndonjë shqiptari që mund të ketë vdekur nga ky tërmet”, ka thënë ai.

Ambasada e Kosovës në Ankara ka reaguar pas tërmetit prej 7.8 shkallësh që ka goditur Turqinë, gjatë së hënës.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në “Facebook”, ka shprehur ngushëllime popullit turk.

“Ndjejmë dhimbje të thellë për viktimat si pasojë e tërmetit që goditi disa provinca të Turqisë në mëngjesin e sotëm. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për popullin e Turqisë dhe urojmë shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit nga ky tërmet”, është thënë në njoftim.

Për raste emergjente nga zonat e prekura nga tërmeti, luten qytetarët tanë të kontaktojnë në numrat emergjentë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Reuters” ka publikuar pamje rrëqethëse nga momenti kur punëtorët e…