Nurboja: BQK-ja vazhdon të jetë e fokusuar në fushën e edukimit financiar

20 qershor 2023 | 13:01

Në vazhdën e aktiviteteve vjetore që i zhvillon në kuadër të Programit të Edukimit Financiar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Esenë më të mirë, garë kjo e shpallur gjatë shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, me moton që shënohet këtë vit në gjithë botën “Planifikoni paratë tuaja, mbillni të ardhmen tuaj”.

Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të BQK-së, Bashkim Nurboja ka falënderuar dhe përgëzuar nxënësit për punën e bërë në esetë e tyre, duke i inkurajuar që të vazhdojnë tutje me angazhimin në rolin dhe rëndësinë e parasë.

Po ashtu guvernatori shtoi se BQK-ja do të vazhdojë të jetë e fokusuar që të avancojë në vazhdimësi fushën e edukimit financiar, gjithnjë në funksion të ngritjes së transparencës dhe njohurive të qytetarëve dhe publikut të gjerë për produktet, shërbimet dhe rolin e sistemit financiar në vend me qëllim që përmes funksionit të edukimit të jemi sa më pranë qytetarëve.

“Edukimi financiar është një funksion përmes të cilit BQK-ja kontribuon në informimin dhe ngritjen e njohurive të qytetarëve me qëllim të përmirësimit të njohurive të tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve që i ofron sektori financiar dhe krijimit të shprehive për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare. Qytetarët e informuar e të edukuar financiarisht, njohin dhe kuptojnë më shumë produktet dhe shërbimet e sektorit financiar, janë më të mbrojtur dhe më të aftë për të marrë vendime të zgjuara dhe të menaxhojnë më mirë financat e tyre, gjithashtu edhe për të përballuar situata të vështira financiare. Me anë të konkurseve për esenë më të mirë, qëllimi parësor është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka deklaruar Nurboja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pikëkalimi kufitar në Merdare, që lidh Kosovën me Serbinë, vazhdon…