Nxënësit e shkollave të mesme njoftohen me rolin e ATK-së

03 prill 2018 | 17:01

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur seminar me nxënësit e shkollave të mesme nëpër komuna për t’i njoftuar ata për rolin e ATK-së në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës, si dhe për rëndësinë e tatimeve në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit.

Lidhur me rolin dhe rëndësinë e tatimeve, ATK-ja ka përgatitur materialin në formë vizuele, ku gjatë prezantimit u shpjegohet nxënësve se përmbushja e obligimeve tatimore nga qytetarët e Kosovës në mënyrë direkte krijon parakushte më të mira për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve në të gjitha fushat e jetës.

Nxënësit gjatë këtij seminari kanë pasur mundësinë që të ndjekin spotet mediale të ATK-së për rolin dhe funksionin që luan kuponi fiskal.

Po ashtu, nxënësit gjatë këtij prezantimi me interesim të veçantë u parashtruan pyetje të shumta zyrtarëve të ATK-së lidhur me tatimet.

Deri më tani seminaret me nxënësit maturantë janë mbajtur në 12 shkolla të mesme, në komunat si ajo e Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, Drenasit, Lipjanit dhe Obiliqit.

Seminari do të vazhdojë edhe me nxënësit nga klasa e pestë në komunat e lartpërmendura.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Flamur Sefaj, ka dhënë…