OAK, shkresë BQK-së: Urgjentisht zbriteni normën e interesit

03 gusht 2020 | 09:26

Oda e Afarizmit e Kosovës ka ripërsëritur kërkesën për uljen e normës së interesit, duke i dërguar shkresë guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

OAK thekson se ulja e normës së interesit, në së paku 1.7 % dhe presioni në bankat komerciale për uljen e interesit bankar, dhënien e kredive edhe për biznese të reja dhe rritja e dhënieve të kredive për biznese, është nevojë emergjente e bizneseve, duke marrë parasysh mospërkrahjen e shtetit tani e pesë muaj për mbulimin e shpenzimeve operative, duke përfshirë edhe pagat, tatimet, investimet etj.

Oda e Afarizmit e Kosovës theksoi se një nga propozimet e saj për pakon e rimëkëmbjes është edhe ulja e normës së interesit në mënyrë që bankat komerciale të kenë mundësi që t’i ulin kamatat. “Duke pasur parasysh vështirësitë financiare të bizneseve gjatë kësaj situate dhe me paralajmërime të falimentimit të qindra bizneseve, OAK e konsideron që ulja e normës së interesit do të ishte një ndihmesë e madhe për bizneset në mënyrë që të kenë mundësi që të operojnë”, thuhet në njoftim, raporton “Epoka e re”.

Në këtë shkresë Oda e Afarizmit e Kosovës ka shprehur shqetësimin që efektet e pandemisë priten të vihen re pas tejkalimit të saj, sidomos në aspektin ekonomik. “OAK e sheh të nevojshme ofrimin e shumë mekanizmave për përkrahje më të madhe të komunitetit të biznesit në mënyrë që të kenë mundësi për ruajtjen e stabilitetit dhe funksionimin ekonomik”, është bërë me dije në shkresën e saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, do ta vizitojë…